Tetë pacientët e shtrirë në spitalin e Leskocit të cilët janë në gjendje të qëndrueshme do të transportohen në Maqedoni ndërsa gjashtë pacientët e shtrirë në Spitalin e Nishit të cilët janë në gjendje më të rëndë dhe nën aparatet respiratore do të vazhdojnë të Qëndrojnë në hospitalizim në repartin intensiv në Nish, njoftoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Gjatë ditës pritet të bëhet transporti i tre trupave të pajetë të viktimave të cilët përfunduan tragjikisht gjatë aksidentit të ndodhur në Leskoc derisa udhëtonin nga Maqedonia për në Vjenë. Ndërkohë në Serbi ende vazhdon hetimi për zbardhjen e fatkeqësisë në Leskoc në të cilën 32 persona u lënduan ndërkaq tre të tjerë ndërruan jetë. Nga policia dhe shërbimet e tjera hetuese në Serbi kanë thënë se procedura e hetimit është në rrjedhë dhe për një javë do të dalin me të dhëna të sakta.
Sipas dëshmitarëve, deri te fatkeqësia ka ardhur si pasojë e kushteve të këqija dhe vozitjes me shpejtësi të lartë nga ana e shoferit.










