Tensioni mbetet i lartë në ishujt e Egjeut Lindor ku dhjetra avionë turq hynë në hapësirën ajrore të pretenduar nga Greqia duke i çuar vendet në prag të një konflikti të armatosur.
Gjithçka filloi pasi ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kamenos tha se do t’i përgjigjeshin çdo lloj provokimi të turqve sipas tij edhe nëse hynin në territorin grek me një milimetër.
Kaq ka mjaftuar që fillimisht dy avionë turq t’i afrohen helikopterit të tij teksa largohej gjatë mëngjesit të djeshëm nga ishulli Kastelorizo, shkruan Albeu.com.
Avionët i janë afruar duke thënë se të largohet nga hapësira ajrore turke, ndërsa menjëherë në zonë janë gjendur edhe një numër i madh gjuajtësish turq dhe grekë duke shkaktuar një situatë alarmi në ishujt e kësaj zone.
Në një deklarim të mëvonshëm, Kamenos tha se në zonë ishin afruar gjashtë avionë grekë dhe tetë turq.
“Ne po i përgjigjemi agresionit turk”, tha Kamenos për mediat greke, ndërsa Turqia thekson se helikopteri i tij kishte hyrë në hapësirën ajrore turke.
Më pas shefi i Shtabit të Ushtrisë së Greqisë, Apostolakis deklaroi se do të kthehin pluhur ishujt e Turqisë nëse këta të fundit sipas tij provokojnë grekët.
Gjatë ditës së djeshme, autoritetet greke raportojnë se avionët turq hynë 110 herë në hapësirën e tyre ajrore duke treguar edhe tensionin e lartë që mbizotëron në raportet mes dy shteteve.
Të dy vendet janë në një raport mjaft të tensionuar sa i përket çështjes së ishujve në Egje pasi Turqia pretendon disa prej tyre. /albeu









