Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur kryeministres serbe, Ana Brnabiç, e cila tha se Beogradi është i gatshëm dhe do të vijojë me dialogun vetëm kur Prishtina të heqë taksën.
Haradinaj ka thënë se derisa Serbia vazhdon të veprojë kundër Kosovës, taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe nuk do të shfuqizohet.
Kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se Brnabiç pa fije turpi i kishte bërë thirrje Shqipërisë që të rishqyrtoj njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Haradinaj ka thënë:
“Sa i përket taksës është e drejtë e jona dhe e mbrojmë sigurinë tonë. Kryeministrja e Serbisë, Bërnabiq vazhdon me letra për qeveri të ndryshme dhe nuk i ka ardhë marrë të ia dërgojë një letër edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ta kërkuar tërheqjen e njohjes. Pra përderisa Serbia ka këtë lloj qasje, atëherë kuptohet shumë mirë se për çfarë kemi vepruar ne”.










