MPB e informuar për Gruevskin, do ikte në Greqi e jo në Hungari

Ministria e Punëve të Brendahme (MPB) nuk ka pasur ndonjë informacion, apo indikacion të fuqishme se kryeministri Nikolla Gruevski është duke u përgatitur të ikë, thonë burime nga kjo ministri. Sipas tyre, indikacioni i vetëm për ikje të mundshme të Gruevskit ka qenë se ish kryeministri mund të kërkojë strehim në Greqi.

“Kemi pasur disa indikacione që Gruevski përmes Dojranit, me ndihmën e disa njerëzve të tij, do të ikë në Greqi. Kishte fjalë se gjoja ka marë me qera tre banesa në Selanik, ku në njërën do të qëndronte, e dy të tjerat do t’i shërbenin për të humbur gjurmë. MPB i ka përcjellë kët informacione dhe ka ndërmarrë masa për parandalim eventual. Mirëpo nuk kemi pasur ndonjë informacion se po përgatitet të ikë në Hungari”, kanë deklaruar burime të larta në MPB për Gazetën Lajm.

Sipas tyre, për momentin Gruevski gjendet në një hotel në Budapest, pro gjasat për ekstradimin e tij nuk janë shterur.

Edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në debatin e mbrëmshëm në televizionin “TV 24”, ka folur lidhur me ikjen e Gruevskit në Hungari. Ai ka deklaruar se ka dyshime që në arratisjen e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski ka gisht edhe lideri aktual i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.

Dyshimet vijnë, për siç tha Zaev, sepse Mickoski ka pasur takime me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por pas takimeve nuk ka njoftuar se për çfarë kanë biseduar. Ka theksuar se ai nuk mund të vërtetojë se ndoshta në ato takime është folur edhe për arratisjen e Gruevskit.

“Kam nevojë të them edhe më shumë, por nuk kam të drejtë për shkak se hetimi ende vazhdon. Nuk është normale që ai që ka ikur nga shteti, por do ta shohim se kush është fajtor, nëse ka dikush, hetimi do të tregojë dhe ai do të japë përgjegjësi”, tha Zaev.
Kryeministri Zaev ka theksuar se në ekstradimin e Gruevskit, bëhet shumë kujdes, me qëllim që mos të prishet fqinjësia me Hungarinë, e cila duhet ta votojë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

“Do të presim dhe do të kërkojmë mënyrë që ajo të realizohet, dhe mos ta prishmi fqinjësinë. Hungaria duhet të votojë për protokollin për anëtarësim në NATO”, tha Zaev dhe ka shtuar se me Orbanin nuk do të kërkojë takim të veçantë për Gruevskin, por meqë do të vijojnë takime në Davos dhe në konferenca ndërkombëtare, do të ketë mundësi që të takohet me të dhe ta hapë temën e Gruevskit.

Zaev ka folur edhe për ligjin për amnisti, dhe ka theksuar se në këto momente, kur shteti përballet me mundësinë e realizimit të interesave strategjike, është e nevojshme që të gjithë t’i japin dorën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu