Deputeti i Kuvendi i Kosovës nga radhët e AAK-së Daut Haradinaj, ka kundërshtuar hetimet e inicuara nga Inspektorati Policor i Kosovës ndaj policëve që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të drejtorit e të ashtuquajtures “Zyra për Kosovë” Marko Gjuriq.
Sipas Haradinajt, IPK duhet të mbyll hetimet ndaj policëve në mënyrë që të mos demotivohen në punën e tyre. Ai po ashtu ka theksuar se duhet ndarë dekorata për të gjithë pjesëmarrësit në aksionin policor.
“Hetimi i IPK-së ndaj policëve që më shumë profesionalizëm e kryen detyrën e tyre në rastin e Marko Gjuriq, është në shpërputhje të plotë me detyrat që ju dhanë kësaj njësie.
Policët nuk përdorën as më të voglën forcë, e tëra që shihet është veprim racional konform situatës. Andaj duhet të mbyllet ky rast dhe të dekorohen djemtë dhe vajzat qe e kryen detyrën me nder. E kundërta do ishte një demotivim i tyre për të ofruar siguri për të gjithë. Ata i zbatuan detyrat e dhëna nga eprorët dhe asgjë më shumë”, ka thënë Haradinaj, përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin shoqëror “Facebook”.