Shqiptarët e Shkupit diskriminohen në baza etnike gjatë kompensimit të dëmeve nga vërshimet

Banorët shqiptarë të zonave të përmbytura nga fshati Hasanbeg i Shkupit akuzojnë qeverinë se po bën diskriminim mbi baza etnike gjatë ndarjes së fondeve për kompensimin e dëmeve. Të revoltuar, disa prej tyre thonë se në llogaritë tyre bankare janë lëshuar shumë më pak para se sa për bashkëfshatarët e tyre, raporton Alsat-M.

“Nuk jemi të njëjtë. Palës maqedone i lëshojnë mbi 5000 euro ndërsa palës shqiptare 2000, 1,500 deri maksimum 3000 euro. Kam shokë që më kanë treguar, shtëpi dy dhomëshe ka marrë mbi 5,000 euro tani a është punë e partive kjo a cfarë nuk e di. Ndarja nuk bëhet në mënyrë korrekte, ne dallojmë nga ato, gjithmonë jemi dalluar edhe tani dallohemi”.

“Me dy mijë euro çfarë mund të rregulloj? Për një mur këtu më kërkojnë 2,000 euro, vetëm teknika e bardhë kushton 1-1,500 euro. Nuk është ndarja reale, nuk mundet të jetë reale sepse psh: neve na kanë lëshuar 2,000 euro dikujt 4,000, dikujt 5,000 ka edhe që kanë lëshuar 150 euro. Kah pala maqedone është ndryshe, kur ka qenë prindi im e ka parë e ka pa vetë se dikush ka marrë 7-8,000 euro, nuk flasim vetëm kot”.

“Unë mora vesh se një maqedonas nga Stajkovca ka marrë 400,000 denarë ndërsa këtu tek ne kanë marr 90 mijë, 110 mijë se di pse bëhen dallime, unë për vete nuk kam marrë asgjë përveç 200 eurove nga Kryqi i Kuq”.

Alsat takoi një banore maqedonase të Hasanbegut, e cila në llogarinë e saj kishte pranuar 5000 euro. Por edhe ajo është e pakënaqur më shumën që ka marr.

“Ne morëm 300,000 denarë pa avansin dhe nuk jemi të kënaqur sepse nuk mund të bëjmë asgjë me ato para, katin nuk mund ta rinovojmë. Gjithçka që kishim brenda u shkatërrua me frigoriferë e me makineri, me ato para nuk mund t’i mbulojmë ato “.

Banorët e Hasanbegut kërcënohen se nëse nuk do të lëshohen mjetet e nevojshme për riparimin e dëmeve, do të dalin në protestë madje dhe do të bllokojnë rrugët. Nga komisioni për vlerësimin e dëmeve një ditë më parë thanë se mund të jenë bërë gabime dhe nuk e përjashtojnë mundësinë e rishikimit të vlerësimit të bërë. Për kompensimin e dëmeve nga vërshimet në rajonin e Shkupit dhe mbulimin e disa dëmeve në Tetovë, me rishikimin e buxhetit janë ndarë rreth 35 milion euro.

Video:


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu