Profesori amerikan David Phillips, që është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Columbia në New York, vlerësoi se kur bëhet fjalë për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është më i paqartë krahasuar më pozicionin e Bashkimit Evropian.
Phillips, i cili është autor i shkrimit “Negociatat sekrete do të tradhtojnë Kosovën”, i publikuar pak ditë më parë në portalin BIRN për “Demostat”, të cilin e transmeton “Beta”, tha se disa në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA mbështesin ndarjen e Kosovës, “por të tjerët, duke përfshirë edhe anëtarët e Kongresit, kundërshtojnë korrigjimin e kufijve”.
Në artikullin e publikuar nga BIRN, ky profesor amerikan potencon se presidenti serb dhe ai kosovar, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, janë takuar prapa dyerve të mbyllura për të diskutuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në tekstin e profesorit amerikan thuhet se “ka zëra që Thaçi dhe Vuçiq janë duke planifikuar të bëjnë publike marrëveshjen për shkëmbimin e territorit, pak para takimit të tyre të ardhshëm, e cili do të mbahet në Paris, më 1 korrik”.
Duke iu referuar një bashkëbiseduesi të paidentifikuar nga Kosova, Philips thekson se “kushtet e marrëveshjes, janë: që Serbia të pajtohet me njohjen e Kosovës; Kosova të heq dorë nga Mitrovica veriore dhe tri komunat e tjera në veri; Kosova do të marrë midis katër deri në shtatë fshatra në luginën e Preshevës – këto fshatra mund të mos përbëjnë një territor unik; Liqeni i Ujmanit, thelbësor për furnizim me ujë dhe energji elektrike të Kosovës do të jetë një territor nën protektoratin ndërkombëtar nga një organizatë, si është për shembull NATO; Asociacioni i Komunave Serbe do të formohet edhe në pjesë të tjera të Kosovës ku jetojnë serbët dhe do të jetë përgjegjëse për zhvillimin urban dhe rural; Statusi i minierës së Trepçës mbetet i paqartë”, transmeton InfoShqip.
Phillips mbron qëndrimin se ideja e shkëmbimit të territoreve është e keqe, ndër të tjera, sepse ajo nuk nënkupton anëtarësim automatik të Kosovës në OKB, dhe pretendon se një plan i tillë nuk do të kishte marrë mbështetjen e Kuvendit të Serbisë.
“Serbia thjesht duhet ta njohë Kosovën brenda kufijve të saj ekzistues. Tarifat doganore do të hiqen dhe rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të përshpejtohet, pasi ajo do të përmbushë kriteret në Kapitullin 35”, thotë ai.