Me ndryshimet ligjore për rastet sociale, kërkesat për pensionin e pleqërisë janë rritur dukshëm por shumë pak i plotësojnë kushtet për përfitimin e kësaj lloj ndihme. Në mungesë të informacioneve, shumë njerëz që kanë dëgjuar për ligjin e ri u drejtohen institucioneve kompetente për tu njoftuar me kushtet që duhet plotësuar për të marrë ndihmë prej 100 euro. I tillë ishte edhe ky banor i Komunës së Çairit që kishte ardhur për tu njoftuar me kushtet e nevojshme për të gëzuar të drejtën e mbështetjes sociale për personat e moshuar.
“Kam dëgjuar për ligjin e ri, por thanë që do të vonohen pak. Nuk na është thënë asgjë andaj erdhëm që të pyesim” -u shpreh një qytetar.
Nga Qendra për punë sociale thonë se dukshëm është rritur interesimi i të moshuarve të cilët kërkojnë mbështetje sociale. Megjithatë, pak nga ata që kërkojnë i plotësojnë kriteret për këtë lloj ndihme.
“Po ka interes nga personat e moshuar. Çdo ditë nëpër sportele ka qytetarë që interesohen për dokumentacionin e nevojshëm dhe sapo i kompletojnë menjëherë aplikojnë. Për personat e moshuar është që të mos kenë asnjë të ardhur, nëse bëhet fjalë për çifte duhet që asnjëri të mos ketë të ardhura dhe atëherë vetëm njëri e gëzon të drejtën e jo të dytë, duhet të jenë banorë të qytetit ku jetojnë mbi 15 vjet në vazhdimësi dhe të mos kenë asnjë të ardhur tjetër nga burimet tjera” – deklaroi Natasha Stojanoviç, Qendra për Punë Sociale Shkup.
Familjet 4 anëtarëshe që kanë shfrytëzuar ndihmën sociale deri tani kanë marrë rreth 5 mijë denarë, ndërsa tani me ligjin e ri, marrin mbi 12 mijë denarë së bashku me shtesat fëmijërore dhe arsimore. Ndihma e parë me rritje është lëshuar këtë muaj. Nga Qendra për punë sociale thonë se janë duke shqyrtuar rastet e personave të cilët për vite me radhë marrin ndihma sociale dhe nuk janë kërkues aktiv të vendit të punës.