Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, njihet në mesin e adhuruesve gjermanë si “Mutti” (Nëna) dhe telashet e saja shëndetësore që së fundmi kanë nisur t’i shfaqen në publik kanë bërë që të shtohet përkrahja e tyre për “Nënën”.
Dridhja e pakontrolluar e trupit, derisa Merkel po qëndronte pranë presidentit Frank-Walter Steinemeier në një ceremoni në Berlin, u shpërfaq në publik për të dytën herë radhazi brenda dy javësh.
Zgjati rreth dy minuta, por ajo u duk se e mori shumë shpejt veten: u paraqit në interpelancë parlamentare dhe fluturoi drejt Japonisë për të marrë pjesë në takimet e liderëve të njëzet shteteve më të zhvilluara në botë. Merkel i mbush muajin tjetër 65 vjet, transmeton “Koha Ditore”.
Dhe dridhja e trupit ishte kryelajm në ballinën e tabloidit të përditshëm e të famshëm gjerman “Bild”, por shumë media të tjera gjermane e dhanë vetëm si lajm të shkurtër.
Emetuesit publikë, ARD dhe ZDF, e dhanë shkurtimisht lajmin në buletinin e tyre. Madje nuk ishte në mesin e lajmeve kryesore të edicioneve informative.