Zaev: VMRO-DPMNE nuk pranon takim liderësh, opozita i kthen përgjigjen

Negociatat për ligjin për PPS janë ngrirë, ndërsa neni 105 që ka të bëjë me afatin për hapjen e lëndëve, mbetet i kontestueshëm. Kryeministri Zaev tha se pret që deri në fund të këtij muaji të arrijnë marrëveshje me opozitën për këtë çështje e cila nuk guxon të mbetet e hapur para muajit tetor kur duhet të hapen negociatat me BE.

“Puna ka ngecur te Neni 105. Lideri i opozitës në çdo takim po përsërit se problemi është Katica. Në një pjesë të punëve, me të vërtetë ka progres të grupeve pune, por kemi ngecur te neni 105 dhe disa detaje të tjera. Unë besoj se javën e ardhshme do të ketë ndonjë lëvizje. Nëse ai nuk është pjesë e raportit të Bashkimit Evropian, mbi bazë të të cilit do të vendoset në tetor, kjo nuk do të thotë se askush nuk do ta shfrytëzojë si kundër-argument gjatë sjelljes së vendimit”, u shpreh Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Partia opozitare VMRO-DPMNE tha se pushtetit i nevojiteshin mbi 6 muaj që të përpilojë propozim ligj i cili rreth 70% është në kundërshtim me normat ndërkombëtare. Nga VMRO-DPMNE thonë se bëjnë përpjekje që ata ta përpilojnë tekstin e ligjit, dhe se pas kësaj do t’i vazhdojnë negociatat.

“Ishin nisur negociatat me VMRO-DPMNE-në, në drejtim të përmirësimit dhe ishin pranuar ato parime që i kërkuam, e ato janë që teksti të jetë ligjor në pajtueshmëri me parimet e dokumenteve ndërkombëtare të Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara, por edhe në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve. Por, megjithatë kjo nuk ishte marrë parasysh. Prandaj VMRO-DPMNE-ja nisi me përpilimin e një propozim-teksti ligjor, i cili do t’i prezantohet opinionit publik”, theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Përveç ligjit për PPS, pushteti dhe opozita kanë çështje të hapura për ndryshimet e Kodit zgjedhor. Kryeministri Zaev tha se opozita ka refuzuar takim liderësh në të cilën duhet të bisedojnë për të gjitha çështjet.

“Tani për tani nuk pranohet takim liderësh. Kontaktojnë kabinetet, njerëzit e ekipeve tona dhe besoj se së shpejti do të kemi zgjidhje të pranueshme për ta organizuar takimin e liderëve. Thashë se janë tre tema dhe ja po i numëroj: e para është PPS-ja, regjistrimi dhe Kodi Zgjedhor. Opozita dhe pjesëmarrësit e tjerë, nëse mendojnë për ndonjë temë tjetër, unë jam në dispozicion për të biseduar, por bëhet fjalë për tema tejet serioze, për të cilat sa më shpejtë që është e mundur duhet të ulemi dhe të bisedojmë”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nga VMRO-DPMNE-ja për TV21 thonë se nuk kanë marrë ftesë për takim liderësh. Ftesa deri te VMRO-DPMNE-ja nuk është dërguar, ndërsa nga ana tjetër burim kryesor për të gjitha problemet e shtetit është Zoran Zaev dhe klani i tij kriminel që janë në pushtet”, thanë nga opozita dhe kërkojnë që Zaev të largohet nga pushteti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu