Gjykata e Durrësit nuk konfirmoi mandatin e kandidates së PS për zgjedhjet lokale, Valbona Sako. Në argumentimin e gjykatës, thuhej se procesi ishte i pavlefshëm, pasi BD u regjistrua jashtë afateve ligjore.
Edhe Gjykata e Tiranës, vendosi të mos shprehej për kandidatin e Vorës, Agim Kajmakun, duke ia pasuar topin Gjykatës Administrative.
Këto zhvillime janë komentuar nga ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume. Në një komunikim me Faxweb, Kume është shprehur se kjo që ka ndodhur është rezultat i mungesës së shtetit ligjor.
Kjo sipas tij, tregon se nevojiten ndryshime të thella ligjore, por edhe zgjedhore. Më tej ai ka shtuar se është cënuar rëndë Kodi Ligjor dhe nëse nuk do bëhen hapa për rikthimin e ligjeve demokratike, kriza do të jetë gjithmonë aty.
Kume u shpreh:
“Duhet ta shohim drejt e në sy këtë situatë, në të kundërt do të përballemi me një krizë akoma dhe më të thellë. Gjykata e Tiranës nëse nuk e ka në juridiksion Bashkinë e Vorës është e pafuqishme të shprehet, në të kundërt unë nuk e di cila është arsyeja. Ajo që për mua është problematike në gjithë këtë gjë, është një diçka e dukshme e mungesës së shtetit ligjor. Rrëzimi i mandateve tregon mungesën e shtetit ligjor. Rregjistrimi i Bindjes Demokratike nuk ka qenë në përputhje ligjore dhe kjo tregon pasojën e faktit se ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për ndryshimin e situatës përmes ndryshimeve ligjore në tërësi dhe ato zgjedhore në veçanti. Kjo krizë ka të bëjë me faktin se ne jemi komplet jashtë shinave që përfaqëson demokracinë. Është cënuar rëndë Kodi Ligjor, duhen marrë të gjitha hapat e nevojshme për rikthimin e ligjeve demokratike, në të kundërt, problemi do të mbetet i përhershëm dhe krizat do të jenë gjithmonë aty. Jemi jashtë shinave të shoqërisë demokratike.”