Dorëzohen francezët para amerikanëve, pezullojnë taksën digjitale që godiste kompanitë amerikane

Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Qeverisë së Francës, Bruno Le Maire, deklaroi se vendi i tij do të shtyjë taksimin e kompanive digjitale- që si shënjestër ka gjigantët amerikanë si Apple, Amazon e Facebook- të miratuar nga Asambleja Kombëtare e Francës pas premtimit se SHBA nuk do të kundërpërgjigjej me tarifa në mallra franceze. Kjo nismë e francezëve nuk kishte gjetur mbështetje as në bllokun europian dhe ishte kundërshtuar nga disa anëtarë të BE’së e si rrjedhojë francezët kishin vendosur ta vendosin në nivel kombëtar.

Konflikti tregtar i radhës i Presidentit Trump pritet të jetë me BE’në që administrata amerikane e konsideron se e ka tepruar me keqpërdorimin e zemërgjerësisë amerikane dhe si shembull i paraqet deficitin tregtar mes tyre dhe pengesat e vazhdueshme ndaj ndërmarrësve amerikanë në tregun europian. Këtë e kishte paralajmëruar ka kohë tani Presidenti Trump me kërcënimet me tarifa ndaj prodhuesve të automjeteve europiane.

Konflikti ishte më i ashpër me gjermanët që kanë mjaft mospajtime me amerikanët rreth hapjes së tregut gjerman për gazsjellësin rus NordStream2 dhe politikave ekonomike jo të drejta ndaj SHBA’ve.
Por francezët e morën rolin kryesor kur miratuan taksën digjitale që u kritikua mjaft edhe për mungesë arsyetimi të vendosjes dhe natyrës së saj prej paushalli. Miratimi i taksës nga parlamenti francez dhe mbështetja e qeverisë shihet si përpjekje populliste për të fituar pikë tek popullata franceze e pakënaqur me qeverisjen e Macron.

Marrëveshja e arritur mes ministrit francez Le Maire dhe Sekretarit Amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin nënkupton se inkasimi i taksës digjitale do të pezullohet deri në dhjetor-deri në përfundimin e zgjedhjeve në SHBA, por nuk do ta anuloj asnjëherë deri në arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare për një mënyrë taksimi të bizneseve digjitale. Në të njëjtën kohë Franca nuk do të përballej edhe me tarifat e SHBA’së në 7 miliardë mallra eksporti francez para zgjedhjeve në pranverë në Francën edhe ashtu në telashe me greva dhe pakënaqësi ndaj Emmanuel Macron.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu