Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka dhënë detajet e fundit në lidhje me marrëveshjen midis partisë të cilës i takon dhe Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, duke thënë se nuk lejojnë që LDK’në ta konsiderojnë si plastelinë të cilës ia lënë formën si të duan të tjerët, e as si trampolinë politike për të realizuar aspirate politike që disa të tjerë kanë menduar më parë.
Këtë Haziri e ka thënë në një intervistë për Gazetën Express, ku diskutoi edhe në lidhje me takimet e shumëfolura gjatë këtyre ditëve sa i përket këtyre dy subjekteve politike.
“Por nuk do të lejojmë që LDK’në si organizatë politike dikush ta konsiderojë plastelinë që formohet si duan të tjerët, siç është thënë edhe nga disa funksionarë edhe të Vetëvendosjes. LDK’ja nuk do të jetë as si trampolinë politike për të realizuar aspirata politike që disa të tjerë kanë menduar më herët“, ka thënë Haziri.
Ai tutje nuk e ka pohuar se të premten mbrëma ka ndodhur një takim midis të dyja palëve, mirëpo nuk e ka bërë të ditur se ku.
“Mund t’ju konfirmoj se takime të rregullta ka pasur. Por shumica e madhe e takimeve kanë qenë publike. Ka pasë takime edhe takime jopublike dhe komunikim në përpjekje për ta finalizuar marrëveshjen e koalicionit të pritur LDK-VV. Kjo është fakt dhe përpjekjet janë angazhim i përbashkët i dy liderëve dhe i ekipeve, sepse formati i takimeve ka qenë në takime ekipore, të mbështetura nga tre apo katër anëtarë të mandatuar të strukturave të partive për ta lehtësuar marrëveshjen. Nuk mund të flas për vendin dhe mënyrën se si liderët komunikojnë. Por, takimi i fundit ka qenë i formatit ekipor”, ka shtuar Haziri.
Kujtojmë se kreu i LDK’së, Isa Mustafa të martën që lëmë pas i ka dhënë ultimatum partisë së Kurtit, duke thënë se LDK mbetet tek oferta e fundit që I ka dërguar Vetëvendosjes për qeverisje të balanuar dhe me përgjegjësi të barabarta dhe deri në fund të javës të deklarohen se a janë për koalicion me LDK’në apo jo.