Është rritur bilanci i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri. Numri i të infektuarve ka shkuar në 10, por vetëm 3 nga këta 10 janë të shtruar tek Infektivi në QSUT, ndërsa një ndodhet në Spitalin Infektiv në Durrës. Deri më tani janë kryer 114 analiza në laboratorin e ISHP-së. Sakaq 6 nga 10 të prekur janë familjarë të dy rasteve të para të regjistruara në vend, pra familjarë të pacientit zero, i cili kishte ardhur nga Firence në 26 shkurt dhe në 8 mars u diagnostikua me koronavirus.
Fillimisht pacienti zero nuk kishte shfaqur simptoma, por pas 11 ditësh ai shfaqi simptomat e para, duke bërë kësisoj që ta kishte përhapur virusin tek familjarët e tij. Ndërkohë dy të tjerët nuk kanë të bëjnë me pacientin zero, pra nuk e kanë marrë virusin prej tij. Njëri, është një 31-vjeçar nga Milano që qëndroi atje një ditë për të vizituar dajën e sëmurë, i cili pasi doli pozitiv po merr trajtim mjekësor tek Spitali Infektiv në QSUT, i kthyer tashmë në karantinë pa pacientë të tjerë që nuk kanë lidhje me COVID-19. Sakaq i infektuari tjetër ndodhet në Durrës, për të cilën Task Forca për koronavirusin nuk dha të dhëna të tjera.
Ja masat nga Ministria e Shëndetësisë
Ditën e djeshme Ministria e Shëndetësisë doli në konferencë për shtyp, ku dha të dhënat e reja lidhur me koronavirusin, të prekurit, të karantinurarit, analizat si dhe masat e ndërmarra. Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi dje se qytetarët duhet të zbatojnë urdhrat me përpikmëri në mënyrë që mbrojtja të jetë maksimale. Sakaq ajo shtoi se pritet një rritje e numrit të të prekurve nga ky virus. Sa i takon karantinimit, Rakacolli u shpreh se është vendosur karantinimi i detyrueshëm për personat që kanë pasur kontakt të ngushtë me rastet e konfirmuara me COVID-19. “Vetëm 3 të shtruar kemi në të gjithë spitalin Infektiv. Edhe nëse do të mendojmë për skenarin më të keq si në Itali, nëse do të mbushet infektivi, se ata edhe shërohen, ka një qarkullim, do të dalin, do të kemi edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, i kemi marrë të gjithë masat. Edhe nëse shkojmë në këtë situatë, nuk do t’i pritet fare kujdesi njerëzve të tjerë. Do kemi shtretër të ndarë nga ana që kanë COVID-19”, tha zv.ministrja Rakacolli. Pra sipas deklaratës së Rakacollit, Sanatoriumi nuk do të jetë vetëm për të prekurit e mundshëm me COVID-19, por edhe më të sëmurë të tjerë, të cilët do të qëndrojnë në dhoma të veçanta, të ndara nga ambientet ku mund të qëndrojnë të infektuarit. Pra është e qartë që nëse nuk je i infektuar nuk ka mundësi që të marrësh virusin sepse je karantinuar.
Ndjekja e rregullave
Sakaq shefi i Urgjencës, Skënder Brataj u bëri apel qytetarëve duke u thënë se duhet të ndjekin të gjitha rregullat për ta fituar sa më shpejt betejën me koronavirusin. “Nuk fshihemi, a do të ketë shtim të numrit. Patjetër që do të ketë, sepse po e kalon gjithë bota. Jemi në kushtet e fillimit të një epidemie, ose pandemie botërore. A ka sëmundshmëri, kemi dhe të panjohurën e këtij virusi që po merremi duke studiuar ose duke marrë studime të kolegëve tanë në gjithë vendet e botës. Ajo që dua t’u them njerëzve është që është trefishuar numri në 127. Nga studimet, 80% e njerëzve nuk shfaqin simptoma. Ajo pjesë njerëzve që shfaqin simptoma, mbi 90% të rasteve kurohet në shtëpi. Këtë periudhë kemi pasur gripin, a kemi pasur 400 vizita, i kemi pasur, por nuk ia kemi vënë emrin koronavirus. Jemi në të njëjtat kushte. Mund t’i përgjigjemi vetëm me bashkëpunim. Ka një shpërndarje të shpejtë, ka. Ai mund të parandalohet? Gjithsecili të rrijë në shtëpinë e vetë dhe të kryejë gjërat e domosdoshme”, u shpreh ai.