Një test i koronavirusit kushton mesatarisht 30-35 euro. Një mijë të tillë një ditë më parë, Serbia, dhuroi Kosovës. Vlera e donacionit ishte 35 mijë euro bazuar në çmimin e testeve të COVID-19.
Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi ka folur për numrin e testeve që po bëhen në Kosovë.
Ai thotë se një procedurë e tillë është mjaft e kushtueshme dhe varet sa para do të ndajë shteti për të blerë më shumë teste.
“Një testim kushton 30-35 euro. Nëse ka mijëra raste, do të duhet shumë më tepër fonde se sa që janë ndarë tani”
Jakupi megjithatë thotë se Kosova qëndron mirë në këtë shifër testuese krahasuar me vendet e Evropës juglindore.
Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare deri më tani janë testuar gjithsej 604 mostra të dyshimta në virusin COVID-19 dhe prej tyre, gjithsej tridhjetë e pesë (35) raste kanë rezultuar pozitive.