Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa deklaroi se nuk ka aspak dilema nëse do ta pranojë mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, menjëherë pasi presidenti i shtetit Hashim Thaçi kërkoi nga partia e tij emër të kandidatit për kryeministër të ardhshëm.
“Në momentin që plotësohen kushtet kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet mandati dhe të arrijmë pajtim me partnerët për kriteret, LDK pa asnjë hezitim do ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, vendit i duhet qeveri me mandat të plotë që të përballet me Kovid-19 dhe me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
Deklarata e ish-kryeministrit të Kosovës, e dhënë për portalin “Gazeta Ekspres”, vjen në kohën kur ushtruesi aktual i detyrës së kryeministrit, lideri i lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, refuzon të propozojë emër për mandatar, pasi qeverisë së tij, më 25 mars i shpallën mosbesim nga Kuvendi i Kosovës, me më shumë se dy të tretat e votave të deputetëve.
Presidenti Thaçi, nga ana tjetër, pohon se qeveri të re mund të formojë ai i cili do të sigurojë shumicë në përbërjen e re parlamentare, që është qëndrim edhe i Mustafës, partia e të cilit e ngriti iniciativën për prishjen e qeverisë së Kurtit, në të cilën edhe vetëm deri atëherë ishte në koalicion.