Cakaj në Medvegjë: Pasivizimi problem i rëndë, do të angazhohemi fuqishëm

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj vizitoi edhe Medvegjën në kuadër të vizitës në tre komunat shqiptare në jug të Serbisë, përcjell INA.

Cakaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka informuar mbi vizitën në Medvegjë, ku ai tha se është fokusuar në problemin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në këtë komunë dhe se këtë e ka quajtur si problem të rëndë.

“Në Medvegjë u takuam me këshilltarët komunalë shqiptarë dhe drejtuesin e Grupit Qytetar “Të gjithë për Medvegjën”, z. Muharrem Salihu.
Folëm për nevojat e shqiptarëve në Medvegjë, rëndësinë e punës së përbashkët në ngritjen e problemit të rëndë të pasivizimit të adresave dhe domosdoshmërinë e përpilimit të një strategjie afatgjatë në shërbim të ruajtjes së faktorit shqiptar atje”, theksoi Cakaj.
Ai gjatë vizitës ka qëndruar edhe në disa shkolla, ndërmarrje dhe qendra të tjera në Medvegjë, duke thënë se ato janë “me rëndësi të posaçme për zhvillimin e jetës së bashkëkombasve tanë!”

Ministri Cakaj vizitoi edhe muzeun dhe amfiteatrin kulturor në Tupallë, që është ngritur nga biznesmeni Muharrem Salihu. Shefi i diplomacisë shqiptare, Gent Cakaj për tre ditë qëndroi në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku u njoftua me gjendjen e shqiptarëve në këto tre komuna si dhe u angazhua për përkrahjen e listës së përbashkët të faktorit shqiptar për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Këshilltari komunal dhe veprimtari Muharrem Salihu ka informuar ministrin e jashtëm shqiptar për skenaret e palës serbe për pasivizimin e adresave të shqiptarëve dhe të dhënave të tyre personale, duke u pamundësuar që të pajisen me dokumente dhe nevoja tjera.

Ai ka informuar se Forumi Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi (AFEDS) ka nisur një aktivitet të rëndësishëm për evidentimin e të gjithë shqiptarëve në Medvegjë dhe rrethinë të cilëve u janë pasivizuar dhe shlyer adresat në vendbanimet e tyre.

Gjatë vetëm katër viteve të fundit autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civilë në komunën e Medvegjes. Kjo masë është ekzekutuar nga Ministria e Puneve te Brendshme te Serbise (MUP-i), si praktikë diskrimunuese ndaj komunitetit shqiptar në Serbi. Kjo paraqet një forme diskriminimi të paparë sot në Europë, për faktin se në momentin kur një qytetari shqiptar i pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe më pas fshihet nga regjistri civilë në Serbi, ai person nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë; nuk gëzon të drejtën e qasjes në shërbime mjekësore ose asistencë sociale; nuk mund të bënë regjistrim të makinës, nuk mund të blejë apo shet pronën, dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale ose të përgjithëshme në Serbi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu