Qeveria e Kosovës në pajtim me Rregulloren e Punës ka miratuar Vendimi për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.
Pas analizës së situatës epidemiologjike në vend, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për ndërmarrjen e masave të reja, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.
Meqenëse ka rritje të numrit të qytetarëve, të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Vendimin si në vijim:
“Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive etj.”
“Ndalohet pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, e që rrjedhimisht me këtë kuptohet se nuk do të ketë falje të Kurban Bajramit këtë të premte.
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, me përjashtim të pikës së 8. të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi më 30 korrik 2020.