Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së koalicionit për të formuar shumicën parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale Meta shkruan se finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.
“Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e Kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës. Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera” shkruan Meta.
Kujtojmë se dje kreu i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, pas takimit me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, deklaroi se është arritur një marrëveshje koalicioni për të formuar shumicën parlamentare.