Shkollat në Wuhan të Kinës do të hapen të martën që vjen

Wuhan i Kinës, aty ku për herë të parë u shfaq koronavirusi duket që po kthehet në normalitet. Rreth 2 mijë e 800 institucione arsimore në të gjithë qytetin kanë vendosur të rihapin dyert e tyre për pothuajse 1.4 milion studentë, është njoftuar nga qeveria lokale këtë të premte, transmeton Klan Kosova.

Sipas autoriteteve lokale thuhet që janë hartuar plane emergjente në rast që situata përkeqësohet. Nxënësit janë udhëzuar që të bartin maska në shkollë dhe të shmangin transportin publik nëse është e mundur.

“Shkollave u kërkohet të kufizojnë tubimet e panevojshme masive dhe të paraqesin raporte ditore tek autoritetet shëndetësore. Studentët dhe mësuesit e huaj që nuk kanë marrë njoftim nga shkolla e tyre nuk do të lejohen të kthehen”, thuhet në kërkesë.

Qyteti qendror kinez, ku besohet të ketë origjinën epidemia COVID-19, ishte mbyllur për më shumë se dy muaj nga fundi i janarit. Numri i vdekjeve të qytetit me 3.869 përbën më shumë se 80% të totalit të Kinës.

Wuhan është rikthyer në normalitet që nga prilli dhe nuk është raportuar për ndonjë rast të ri nga COVID-19 që nga 18 maji.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu