Në prezantimin programit, mandatari Zoran Zaev tha se një ndër prioritet e para të Qeverisë së re është lufta kundër koronavirusit dhe Ekonomia. Zaev paralajmëroi edhe reforma në administratën publike nëpërmjet shkurtimit për 20 për qind. Ai gjithashtu tha se në programin katërvjeçar të qeverisë është paraparë edhe vetingu në gjyqësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës.
“Do të shqyrtojmë disa modele për reforma në administratë dhe shkurtimin për 20 për qind me riorganizim, pensionim dhe transferimin në sektorin privat. Gjykatësit për të cilët do të dëshmohet se qëllimisht dhe me vetëdije kanë vjetërsuar lëndë, do të shkarkohen. Lëndët e Prokurorisë Speciale Publike patjetër të marrin epilog. Vendosim sistem të kontrollimit të pasurisë së gjithë funksionarëve”, deklaroi Zoran Zaev, Mandatar për formimin e Qeverisë.
Mandatari Zaev tha se pas anëtarësimit të vendit në NATO, Qeveria e re do të fokusohet edhe në bisedimet me Bashkimin Europian.
“Qeveria e re është e përkushtuar në marrëveshjet e Prespës dhe atë me Bullgarinë, të cilat e bënë të mundur. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Do të vazhdojmë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila është baza e bashkëjetesës ndëretnike. Përpara nesh është një periudhë në të cilën si shtet do të marrim shumë më tepër sesa do të japim. Ne jemi të përkushtuar të hapim 80 përqind të kapitujve të negociatave në katër vitet e ardhshme”, tha Zoran Zaev-Kryetar i LSDM-së. Kabineti i ri qeveritar të përbëhet nga 19 ministra.