Nënkryetari i LSDM dhe deputeti, Muhamed Zekiri në emisionin TV21 i është përgjigjur zv/ministrit të shëndetësisë nga radhët e BDI-së, Ilir Hasani, lidhur me deklaratën e tij se së shpejti do të pijmë kafe në Prishtinë, pasi që do të hiqen testet PCR midis dy vendeve dhe do të krijohen kushtet për lëvizjen e lirë.
“Unë gjykoj se ishte i përshpejtuar statusi i zv/ministrit të Shëndetësisë, se së shpejti do të pimë kafe në Prishtinë dhe ndodhi që ai të nesërmen gjegjësisht dje të shkojë vetë të pi kafe në Prishtinë pa e analizuar në përgjithësi situatën. Me këtë punë ministri tha “nuk lejohet dhe nuk do të lejohet që politika të ketë dorë” por do të merren vendime që kanë bazë situatën aktuale”, deklaroi Muhamed Zekiri në ClickPlus në TV21.
Kjo deklaratë e nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zekiri vjen pasi që dy ditë më parë zëvendësministri i Shëndetësisë Ilir Hasani në rrjetin social Facebook shkroi: “Shumë shpejt kafe në Prishtinë pa PCR test”.
Komisioni për Sëmundje Infektive ka diskutuar për përshpejtim të procedurave për heqjen e PCR testit me vendet e rajonit, ndërsa për këtë është diskutuar edhe në mbledhjen e Qeverisë, raporton TV21.
Nga burime te besueshme brenda Qeverisë mësojmë se në mbledhje është zhvilluar debat i ashpër rreth heqjes se PCR testeve me vendet fqinje, si Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë.
Mësojmë se kryeministri Zoran Zaev është pro këtij rekomandimi. Gjithashtu ministrat e BDI janë pro heqjes se testit PCR, por dy ministra tjerë të LSDM janë kundër me argumente që po bëhet presion ndaj epidemiologeve dhe duhet analizuar mirë vendimi për heqjen e PCR testeve.