Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun e Kosovës me Serbinë, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk implementohet themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
Ai tha se Kosova e ka marrë përsipër zotimin për themelimin e Asocacionit dhe ky zotim duhet të implementohet.
“Jam këtu vetëm të lehtësoj marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ka marrëveshje nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve. Dhe nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin. Kosova e ka marrë përsipër zotimin, e ka nënshkruar. Asociacioni është pjesë e procesit, është pjesë e dialogut. Ne nuk kërkojmë të rihapim tekstin, por duam vetëm të implemetojnë atë që e kanë nënshkruar. Nuk e kam takuar asnjë partner gjatë këtyre tri ditëve që ka ndonjë problem me këtë çështje”, tha Lajçak.
Ai u ka bërë thirrje partnerëve të tyre që në bazë të dokumenteve të vitit 2013, 2015 dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese që t’i përgatisin pozicionet e tyre dhe të jenë të gatshëm që ta diskutojnë Asocacionin e Komunave Serbe.
“Marrëveshja për Asocacionin e Komunave Serbe është arritur në Bruksel në vitin 2013 dhe pastaj në vitin 2015, por nuk është implementuar. Por Gjykata Kushtetuese kur na kanë thënë se Asocacioni nuk duhet të themelohet, gjykata ka thënë se duhet të themelohet në pajtueshmëri me opinionin apo vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të kemi qartësi se çka po nënshkruajmë dhe çka po implementojmë. I kemi dy dokumente të vitit 2013 dhe 2015 dhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Unë i bëjë thirrje partnerëve këtu që në bazë të këtyre 3 dokumenteve që t’i përgatisin pozicionet e tyre dhe të jenë të gatshëm që ta diskutojnë dhe kjo do të ndodhë si pjesë e negociatave gjithëpërfshirëse dhe kur takova Srpska Listën, ata nuk kishin nevojë të diskutojnë sepse të gjithë partnerët e konfirmuan se kjo është dakorduar dhe do të diskutohet”, tha Lajçak.
Lajçak është duke qëndruar që dy ditë në Kosovë, ku sot u prit në takim nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Lajçak po ashtu u takua edhe me krerët më të lartë të shtetit të Kosovës për të diskutuar rreth dialogut me Serbinë.