Qeveria e Serbisë përmes Ministrisë së Administratës shtetërore dhe Pushtetit Lokal ka refuzuar propozimin e Kuvendit komunal të Bujanocit që ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj të shpallet “Qytetar Nderi” i kësaj komune.
Ministrja Marija Obradoviq dje në seancën e Kuvendit të Serbisë ka treguar se e ka nënshkruar vendimin për refuzimin e kërkesës.
Sipas saj, një person që paraqitet hapur kundër Serbisë, nuk mund të jetë një qytetar nderi në një nga komunat në vend.
Kuvendi Komunal në Bujanoc më 17 nëntor të këtij shpalli “Qytetar Nderi të Bujanocit” Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, përcjell INA.
Kryetari i Kuvendit Komunal, Enver Ramadani tha se kjo nismë dhe vendimi është një shprehje mirënjohje për ministri Cakaj, që riktheu vëmendjen për këtë trevë.
“Sot është një ditë e shenjuar për të gjithë qytetarët e Bujanocit. Mbështetja e tij e pashoqe për komunën e Bujanocit dhe qytetarët e saj në fusha të ndryshme dhe bashkëjetësimin e vlerave pro-evropiane e bëjnë ‘Qytetar Nderi’ për nderin dhe respektin që i kushtoi një komune të vogël e krejt të harruar nga gjithë ata që kishin obligime institucionale për ta mbështetur.
Duke pasur parasysh angazhimin dhe përpjekjet e tij për të përmirësuar situatën ekonomike në komunën tonë, bashkëpunimin e pakushtëzuar në të gjitha fushat e tjera, besoj dhe jam i bindur se Ministri Gent Cakaj është i denjë të jetë mbajtës i titullit ‘Qytetar Nderi’ i Komunës së Bujanocit. Duke nderuar personalitetet e profilit të lartë siç është Ministri Gent Cakaj ne i ndërlidhim ata më shumë e më fort me qytetin dhe bashkëqytetarët tanë. Prandaj në emër të të gjithë këshilltarëve të nënshkruar në iniciativë, në emrin tim personal dhe në cilësinë e kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit ju ftoj që ta mbështesni dhe përkrahni këtë iniciativë dhe votoni këtë Propozim- Vendim”, kishte theksuar kryetari i Kuvendit komunal, Enver Ramadani.
Por në bazë të Ligjit për vetqverisje lokale në Serbi, vendimet finale duhet ti jap Ministria e Pushtetit Lokal, e cila nuk i dha dritën jeshile zyrtarizimit të kryediplomatit shqiptar, si qytetar nderi i kësaj komune.