Gentian Hoxha, i dënuar me 6 vite burg pasi vodhi nëpërmjet falsifikimit të dokumentave rreth 500 mijë euro në bankën ku ishte i punësuar, ka rrëfyer përpara gjimnazistëve durrsakë dhe ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, eksperiencën 5-vjeçare në burg:
“Asnjë pasuri në botë nuk e blen dot lirinë. Para disa vitesh, unë bëra një veprim shumë të gabuar, për të cilin jam penduar thellësisht. Unë punoja me detyrë specialist marketingu pranë Bankës Kombëtare Tregtare Vlorë në një sektor shumë të rëndësishëm.
Isha vetëm 30 vjeç dhe kisha karrierën përpara. Por ambicia dhe rrethanat e vështira që po përjetoja asokohe bënë që unë të ndërmerrja veprimet e para të vjedhjes. Aty nisi gjithçka” rrëfeu Hoxha para adoleshentëve, sipas Panorama.
“Me anë të marifeteve të ndryshme arrita të vjedh një shumë të konsiderueshme parash në bankën ku punoja. Pra mjafton një moment dhe jeta merr rrjedhë tjetër, – tha Gentian Hoxha. – Ky veprim më kushtoi shumë shtrenjtë. Unë e pranoj se nuk jam dënuar pa arsye. Krahas lirisë, që nuk ka pasuri ta zëvendësojë, në botë, unë ndjehem moralisht tradhtar te të njohurit e mi, duke nisur nga kolegët e deri te shokët e të njohurit në qyteti tim,” pohoi ish-bankieri.