Kryeministri grek kritikon Ramën

Kryeministri grek Alexis Tsipras ka reaguar dje për të parën herë pas deklaratave të ashpra të Edi Ramës drejtuar Greqisë, duke i “tërhequr veshin” shefit të ekzekutivit shqiptar. Ditën e djeshme, dy krerët e qeverive kanë pasur një bisedë të tensionuar telefonike, ku është folur mbi ashpërsimin e marrëdhënieve ditët e fundit. Biseda mes dy homologëve nuk u bë e ditur nga zyra e informacionit në Kryeministri dhe kanë qenë mediat greke ato të cilat kanë cituar disa deklarata që kryeministri grek i ka thënë Edi Ramës. Duke iu referuar mediave, greke mësohet se telefonata është kryer me kërkesën e kryeministrit Rama. Kryeministri Alexis Tsipras ka kritikuar kreun e qeverisë shqiptare lidhur me deklaratat e tij. Sipas medieve greke, mësohet se kreu i qeverisë greke i ka thënë Ramës se retorika nacionaliste po kërcënojnë marrëdhëniet mes dy vendeve. “Kryeministri Tsipras i ka dhënë rëndësi faktit që pala greke mbetet e angazhuar në këtë përpjekje, por ka theksuar se veprimet e kohëve të fundit dhe retorika nacionaliste në rritje minojnë konsolidimin e një klime të mirëbesimit të nevojshëm për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe”, raportohet nga televizioni shtetëror grek, ERT. Në vijim, dy krerët e qeverive theksuan se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të forcohen pasi ky është interesi i dy popujve. “Dy liderët kanë theksuar rëndësinë e përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe, për interes të dy popujve, por edhe të rajonit në tërësi”, citojnë mediat greke. Në të njëjtën kohë, ai ka vënë në dukje nevojën për të gjeneruar me hapa konkretë rezultate konkrete në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Të drejtat e minoriteteve

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, nuk ka anashkaluar edhe përplasjet e fundit që janë bërë në Himarë ku bashkia ka vendosur të prishë disa shtëpi, në kuadër të një projekti të ri urbanistik për qendrën e këtij qyteti. Ashtu siç kanë deklaruar edhe zyrtarë të tjerë grekë, edhe Tsipras ka përforcuar qëndrimin se pa respektimin e të drejtave të pakicës greke Shqipëria nuk do të mund të integrohet në BE. “Mbrojtja e të drejtave të pakicave etnike greke përbën një çështje kryesore për marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe një kusht themelor për ecurinë europiane të Shqipërisë”, është shprehur kreu i qeverisë greke. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë të qeverisë greke kanë deklaruar se Greqia do të vendosë veto për integrimin e Shqipërinë në Bashkimin Europian, nëse qeveria shqiptare do të prish banesat në Himarë. Kjo çështje ka nxitur tension mes dy vendeve por nuk ka qenë e vetmja. Një deklaratë e kryeministri Rama për Akroplin u prit me reagime të ashpra nga Athina. Nëpërmjet një fotografie të shpërndarë në rrjetin e tij social, Rama shkruante fakte historike ku u kujtonte grekëve se Akropoli dhe pasuria arkeologjike e Athinës ka mbijetuar falë shqiptarëve. Një tjetër përplasje mes dy vendeve është shënuar javën e kaluar ku dy shoferët të Ministrisë së Jashtme transportonin për në Greqi tekste shkollore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu