Këto zgjedhje u bënë interesante edhe pas dyshimeve të bazuara se Serbia kishte ndërhyrë në votat e pakicave jo-serbe. Për më keq, Lista Srpska përsëri ia doli që t’i fitonte të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb.
Ajo që është interesante është se përkundër që Lista Srpska si parti ka marrë 44 mijë e 404 vota, numri i votave për kandidatët e saj për deputetë është shumë i përafërt.
Më i votuari është Slavko Simiq që i ka marrë 19 mijë e 728 vota, ose gati 25 mijë më pak se partia.
Por, dallimi mes tij dhe kandidatit të pestë më të votuar, Ivan Todosijeviqit, ta zëmë, është vetëm diku 1 mijë e 800 vota.
Me të drejtë pritet që Vuçiq të kontrollojë të gjithë 10 deputetët e Listës Srpska. Por, duket se pushteti i tij mund të shkojë edhe përtej këtyre ulëseve.
Lista Srpska veçse e ka pasur në grupin e saj parlamentar z.Adem Hodza, i cili përsëri e ka siguruar ulësen e deputetit si përfaqësues i komunitetit goran. Por, me votat nga komunat serbe ka arritur të marrë një ulëse edhe Adrijana Hodzic, e cila është bindshëm kandidatja më e votuar në komunitetet pakicë jo-serbe.
Ndërkohë që dyshimet shkojnë edhe te komuniteti rom. Iniciativa Rome [RI] ka marrë shumë vota në komunat serbe, dhe ka arritur t’i sigurojë dy ulëse. Fadil Gashi dhe Hatixhe Xhorxheviq po ashtu pritet të jenë pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.