Mediat maqedonase të afërta me pushtetin aktual shkruajnë se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev po punon për ndarjen e Maqedonisë, transmeton INA.
Portali kurir.mk shkruan se federalizimi i Maqedonisë do të ndodhë përmes tri fazave.
Faza e I-rë – Përdorimi i gjuhës shqipe në polici dhe ushtri, kantonizimi i maqedonisë.
Faza e II-të – Shqiptarët marrin njërin nga funksionet kryesore të shtetit, kryeparlamentarin, presidentin apo kryeministrin.
Faza e III-të – Shpërbërja e Maqedonisë dhe krijimi i Shqipërisë së Madhe.
Portali në fjalë citon edhe ish-diplomati britanik Timoti Less, në shkrimin e tij të fundit, ku flet mbi atë që kanë sugjeruar ndërkombëtarët lidhur me ndryshimin e kufijëve në Ballkan.
Profesoresha universitare, Tanja Karakamisheva- Jovanovska vlerëson se teksti i analisitit britanik përputhet me planin e LSDM-së për qeverisje komunale me autonomi të zgjeruar, e cila do të coj deri të kantonizimi ose federalizimi i Maqedonisë.
Edhe diplomati Risto Nikovski thotë se teskti i Timoti Les është i inspiruar nga zhvillimet dhe situata në Maqedoni.
Les i cili më parë ka drejtuar zyrën e ambasadës britanike në Banja Lukë të BeH e më pas edhe repartin për institucione të BE si dhe sekretar politik në ambasadën britanike në Shkup, shkruan se kufijtë duhet të ndryshohen edhe atë nga Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Kosova e Mali i Zi dhe e gjithë kjo sipas Less duhet që fillimisht të bëhen ndryshime të vogla e më pas ndryshime edhe më të mëdha mes shteteve.
“Në një periudhë shumë të shkurtër Uashingtoni duhet të përkrahë fragmentimin e brendëshëm të shteteve multietnike dhe atë që pakicat kërkojnë, duhet të pranojë kërkesën e shqiptarëve në Maqedoni për federalizim, më pas pranimin e kroatëve si etnitet i tretë në Bosnjë”, shkruan Less.Lidhur me ndryshimet e kufijëve, Less shkruan se etniteti serb në Kosovë kërkon enklava serbe, shqiptarët në Luginë kërkojnë më shumë autonomi, njësoj si ato në Mal të Zi.