Dje gjatë ditës në media është raportuar se ekziston një dokument prej 4 pikave në të cilën thuhet se të gjitha palët, duke përfshirë këtu edhe Qeverinë e Kosovës, janë pajtuar qe në pjesën veriore pranë urës të jetë një rrethrrotullim i cili për bazament do të ketë murin aktual, por i cili do të zvogëlohet në 80 centimetra.
Mirëpo këtë gjë vazhdon ta mohoj ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, megjithëse pranon se BE ka dhënë disa opsione të tilla, por të cilat janë refuzuar nga Qeveria e Kosovës.
Këtë gjë ajo e ka bërë të ditur në një prononcim për Indeksonline, duke ritheksuar se ky muri do të shembet.
“Ka pasur opsione të propozuar nga BE por të cilat janë refuzuar nga pala jonë, Qeveria e Kosovës. Qëndrimi ynë është i qartë që muri është ilegal dhe ai duhet të shembet, dhe marrëveshja për revitalizim e arritur në Bruksel të zbatohet plotësisht”, ka thënë Tahiri.
Përkundër këtyre deklarimeve për rrëzimin e këtij muri, ende Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë hap konkret dhe nuk dihet se kur do të ndodh një gjë e tillë.