Ata nuk janë “armiq” si ne: Gazprom ka rritur rrjedhën e gazit natyror në Hungari

Kompania ruse energjetike “Gazprom” ka rritur fluksin e gazit në Hungari, tha një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi.Gazi arrin në Hungari nëpërmjet “Rrjedha Turke”, përmes territorit të Serbisë fqinje, përcjellë Reuters, transmeton InfoShqip.

Hungaria, një anëtare e Bashkimit Evropian (BE), mban, sipas zyrtarëve nga ky vend, marrëdhënie “pragmatike” me Moskën pas pushtimit rus të Ukrainës.

Kjo ka krijuar tensione midis Hungarisë dhe anëtarëve të tjerë të BE-së, të cilët duan që komuniteti të mbajë një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë.

Hungaria merr rreth 85% të gazit të saj nga Rusia dhe kundërshton fuqishëm çdo sanksion evropian ndaj importeve të gazit rus. Kryeministri Viktor Orbán gjithashtu ka lobuar fort për të siguruar përjashtimin e Hungarisë nga sanksionet evropiane për importet e naftës së papërpunuar nga Rusia.

Shefi i diplomacisë hungareze, Peter Szijjártó, u takua me homologun e tij rus Sergej Lavrov muajin e kaluar në Moskë, gjatë së cilës kërkoi edhe 700 milionë metra kub gaz shtesë, krahas marrëveshjes afatgjatë tashmë ekzistuese për furnizimin me këtë energji mes dy vendeve.

BE u ka bërë thirrje anëtarëve të reduktojnë përdorimin e gazit natyror me 15 për qind sipas një plani të ri që synon të përgatisë bllokun për një shkurtim të mundshëm të furnizimeve ruse.

Plani hyri në fuqi më 9 gusht dhe do të zbatohet për një vit, dhe në bazë të tij, vendet e BE-së pritet të bëjnë të pamundurën për të ulur vullnetarisht konsumin e gazit me 15 për qind nga 1 gushti deri më 31 mars në krahasim me konsumin mesatar në të njëjtën periudhë të pesë viteve të fundit.

Qëllimi i kursimit të gazit është përgatitja për një reduktim të mundshëm të plotë të dërgesave të gazit rus në BE./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu