Dialogu Prishtinë-Beograd në Bruksel, BE-ja bën gafën e madhe, e cilëson Kurtin si lider të partisë opozitare në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke zhvilluar sot në Bruksel takimin zyrtar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç nën praninë e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndonëse takimi Vuçiç-Kurti është një nga më të rëndësishmit që po zhvillohet midis dy liderëve, personat që menaxhojnë faqen zyrtare të BE-së në internet duket se nuk i kanë bërë mirë detyrat e shtëpisë, pasi e cilësuan Kurtin si lider të partisë opozitare në Kosovë.

Në njoftimin e zyrtar në faqen e BE-së për takimin e dy liderëve, Albin Kurti është cilësuar si lider i opozitës kosovare dhe jo si kryeministër i vendit.

Takimi i dialogut Prishtinë-Beograd. Takim dy palësh me Albin Kurtin liderin e opozitës kosovare”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të BE-së.

Por me sa duket menaxhuesit e faqes e kanë kuptuar gabimin dhe e kanë ndryshuar menjëherë njoftimin me një të përditësuar, ku shkruajnë se “është duke u zhvilluar takimi Beograd-Prishtinë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar sot në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në takim do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.

Takimi ka nisur në orën 10:30.

Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të mbajë një deklaratë për mediat.

Deklarata nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të BE-së dhe do të publikohet në faqen e internetit të (EEAS).

Ndërkohë në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, takuan të martën më 16 gusht përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Në fokus të takimit ishin edhe takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu