Lëvizja Besa është fituese e zgjedhjeve për këshillin komunal në Tetovë

Me këngë e valle, zurla e tupana, e me ovacione, “Po, ka Bilall këtu”. Kështu e nisën mbrëmë festën anëtarët simpatizantët dhe drejtuesit e Lëvizjes BESA, të cilët, në garën e djeshme për e komunës së Tetovës, mundëm Bashkimin demokratik për integrim më një dallim prej rreth 1000 votash. Simpatizantët e Lëvizjes BESA që kishin dalë për të festuar, thanë se kjo fitore ka qenë e pritshme, ndërsa porositën kreun e Lëvizjes Bilall Kasami, që këtë fitore ta shndërroj në punë dhe përkushtim sepse asgjë nuk është e përjetshme.

“Me shpirt e kemi pritur, me shpirt dhe jemi të kënaqur jashtë mase. Diktatura ra dhe iu kry puna”, tha një qytetar.

“Po e kemi prit dhe shumë të sigurt kemi qenë. Popullata do ndryshim dhe për këtë e kemi pritur kët fitore. Dhe festojmë më se e vërtetë”, deklaroi një tjetër qytetar.

“Gjithsesi gjithsesi se e kemi pritur, Bilall Kasami është punëtor. Dhe tani nga gëzimi kemi ardhur të festojmë”, shtoi një tjetër qytetar.

“Logjikisht kjo fitore është pritur, njerëzit kanë arritur të bëjnë paralele nga e Zeza dhe e bardha”, deklaroi një tjetër qytetar.

Kasami ka falënderuar gjithë përkrahësit e Lëvizjes BESA, ndërsa ka premtuar edhe një herë se, do sakrifikojë gjithçka, për një Tetovë më të mirë për banorët e saj.

“Më lejoni që sonte edhe një herë nga Sheshi Iliria të falënderoj gjithë qytetarët e Tetovës, pa marrë parasysh përkatësinë politike etnike dhe fetare, gjithë sot votuan për vazhduar ndryshimi në Tetovë dhe zhvillimi në Tetovë, që ajo të jetë një qytet siç të gjithë e duan. Tetova të jetë një qytet ku rinia do ndalet dhe do gjej të ardhmen dhe perspektivën e saj këtu. Tetovarët janë fituesit e kësaj gare dhe Tetovarët e meritojnë përkushtimin tim pafund. Deri në fund të mandatit Tetovës, i premtoj dhe i jap besën se Bilall Kasami, do sakrifikoj më të mirën për një Tetovë të zhvilluar dhe një Tetovë që e duam krejt”,
u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar disfatën e partisë së tij në këto zgjedhje, duke theksuar se për të më me rëndësi se fitorja është demokratizimi dhe sundimi i ligjit në Maqedoninë e Veriut.

“Për ne me rëndësi janë proceset, më me rëndësi është që të vazhdojmë të investojnë në standardet demokratike, në sundimin e ligjit dhe shtetit juridik”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Sipas rezultateve paraprake të KSHZ-së, Lëvizja BESA në këshillin e ri komunal do të ketë 12 mandate këshilltarësh, BDI 11, VMRO DPMNE 4, LSDM 2 dhe nga një PDSH dhe Alternativa. Pa këshilltar ka mbetur Aleanca për Shqiptaret dhe nisma “Më mirë për Tetovën”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu