Ish-zyrtari i lartë: NATO-ja garanton sigurinë në Kosovë, jo Beogradi

Në kohën e tensioneve të larta midis Kosovës dhe Serbisë, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, u bën thirrje të dyja palëve që të heqin dorë nga retorika nxitëse dhe të përqendrohen te gjetja e zgjidhjes për lirinë e lëvizjes.

Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, porosit Beogradin se përgjegjës për sigurinë në Kosovë është misioni i NATO-s, KFOR, i cili bashkëpunon me Policinë e Kosovës.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se nëse NATO-ja nuk e bën punën e vet, Beogradi do të ndërhyjë “për të mbrojtur” serbët në Kosovë, Shea thotë:

“Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim”.

Shea shfaq shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës. “Kemi të bëjmë me një luftë diplomatike, e jo luftë ushtarake”, thotë ai.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur në fillim të këtij muaji kur Prishtina ka thënë se do t’i detyrojë serbët që jetojnë në veri – të cilët mbështeten nga Beogradi dhe nuk i njohin institucionet e Kosovës – të fillojnë të përdorin targat e makinave të lëshuara në Prishtinë.

Në shenjë pakënaqësie, disa serbë në veri kanë ngritur barrikada në rrugë dhe Qeveria e Kosovës, me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, ka shtyrë zbatimin e vendimit për datën 1 shtator.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Shea, Kosovës dhe Serbisë u kanë mbetur edhe pak ditë – deri më 1 shtator – për të gjetur një zgjidhje për lirinë e lëvizjes. Serbia thotë se është duke kërkuar kompromis, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se do t’u përmbahet vendimeve të mëparshme për targat dhe dokumentet e udhëtimit. A keni frikë nga përshkallëzimi i situatës në terren, në ditët e ardhshme, në veri të Kosovës?

Jamie Shea:Atje ndodhet KFOR-i. [Mbi] 3.700 trupat e NATO-s në Kosovë janë, padyshim, të vetëdijshme për situatën. Kanë qenë qëkur ka shpërthyer problemi në korrik. Janë vendosur në rrugët kryesore, sidomos në veri, duke mbajtur sytë kah kufijtë dhe duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës. Shpresojmë se nuk do të ketë probleme, nuk do të ketë bllokada në rrugë nga serbët lokalë. Por, jam i sigurt se KFOR-i, duke e ditur afatin e 1 shtatorit, është mirë i përgatitur.

Shpresoj, sidomos pas takimit në Bruksel më 18 gusht, të organizuar nga BE-ja, palët [Kosova dhe Serbia] të heqin dorë nga retorika nxitëse. Kam dëgjuar [presidentin serb] Aleksandar Vuçiç të ketë thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova. Ky është absurditet total. Të gjithë e dimë. Pra, të hiqet dorë nga kjo retorikë, e cila nxeh situatën.

Shpresoj po ashtu – derisa i afrohemi afatit të 1 shtatorit – se BE-ja mund të organizojë një takim tjetër midis [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti dhe Vuçiçit, në përpjekje për të gjetur një lloj zgjidhjeje, sidomos për modalitetet e zbatimit [të vendimeve në terren]. Mendoj se modalitetet e zbatimit janë kyçe, në mënyrë që kriza të qetësohet dhe të ecim përpara.“- tha ai.

Prania e NATO-s në Kosovë tregon se “situata nuk është stabile”

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë zëdhënës i NATO-s gjatë ndërhyrjes së saj për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë, në vitin 1999. Më shumë se 23 vjet më vonë, për shkak të tensioneve të rritura midis Kosovës dhe Serbisë, NATO thotë se është gati të intervenojë nëse rrezikohet stabiliteti. Sa shqetësuese është kjo?

Jamie Shea: KFOR-i [misioni paqeruajtës i NATO-s] është ende në Kosovë. NATO-ja ka lënë Afganistanin – edhe pse e di se është një rrëfim tjetër. NATO-ja ka lënë Bosnjën, e cila është dorëzuar te BE-ja, shumë vite më parë. Por, NATO-ja është ende në Kosovë. Natyrisht, nuk i ka më 40.000 trupa, i ka [mbi] 3.700. Por, fakti që janë atje, tregon se situata nuk është stabilizuar dhe normalizuar ende tërësisht. NATO-ja në Bruksel duhet të ketë trupa rezervë, që mund të dërgohen shpejt në Kosovë, në rast të krizës. Duhet të ketë një plan evakuimi, po ashtu.

Dhe po, si zëdhënës i NATO-s në vitin 1999, unë jam personi i parë që më vjen keq që nuk kemi pasur një zgjidhje përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të mundësonte që Kosova të bëhej e pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, duke u njohur nga fqinjët e saj dhe nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar.

Edhe pse, aktualisht, të gjithë ne mendojmë për Ukrainën dhe gjashtëmujorin e nisjes së luftës ruse atje, NATO-ja duhet të mbajë një sy edhe në Ballkan, natyrisht.

Radio Evropa e Lirë: Trupat paqeruajtëse të NATO-s kanë rritur tashmë praninë në veri të Kosovës. A është ky ndonjë sinjal?

Jamie Shea:KFOR-i duhej ta rriste praninë në veri, për të qenë në gjendje të përballojë çdo problem. Është detyrë e tij të ruajë mjedisin e sigurisë. Kam parë që Vuçiç ka deklaruar se nëse NATO-ja nuk mund ta ruajë paqen, ne, serbët, do ta bëjmë këtë. Jo, faleminderit! Nuk ka nevojë. Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim“.

Radio Evropa e Lirë: Po, edhe unë desha të ndalem te kjo deklaratë e Vuçiçit. Edhe pse nuk ka asnjë provë se serbët e Kosovës janë të kërcënuar, sa ju shqetëson kjo deklaratë?

Jamie Shea:Siç e thashë edhe pak më herët, e kjo vlen edhe për Albin Kurtin, është e rëndësishme të ulet toni i retorikës, sidomos kur nuk ka bazë, dhe të veprohet në mënyrë pragmatike. Për shembull, pas ngjarjeve të korrikut, kosovarët janë pajtuar të shtyjnë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, për t’i dhënë kohë hartimit të një strategjie të duhur për zbatim. I kemi ende edhe disa ditë.

Unë mendoj se është krejtësisht e arsyeshme që njerëzit që jetojnë si qytetarë të Kosovës, të vozisin makina me targa të Kosovës dhe të kenë karta identiteti [të Kosovës].

Marrim shembull Skocinë, vendin tim, ku ka një autonomi të madhe, por njerëzit ende qarkullojnë me targa të Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë pasaporta të Mbretërisë së Bashkuar, pa komprometuar në asnjë mënyrë autonominë dhe kompetencat e Qeverisë skoceze.“- tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu