Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin marrëveshjen për dokumentet hyrëse-dalëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e shohin atë si një hap të rëndësishëm përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve bazuar në njohjen reciproke, transmeton InfoShqip.
“Marrëveshja për dokumentet hyrëse/dalëse është shembull i zbatimit efektiv të dialogut për zgjidhjen dhe progresin e mosmarrëveshjeve. Dialogu për Serbinë dhe Kosovën është një mekanizëm që ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Arritja e një zgjidhjeje përmes dialogut është thelbësore për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit në përgjigje.
U theksua se në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet hyrëse-dalëse për poseduesit e dokumenteve të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Kosova është pajtuar që të mos prezantojë dokumentet hyrëse-dalëse për qytetarët me dokumente serbe.
“Bazuar në përkushtimin e të dyja palëve dhe punën e palodhur të të dërguarit special të Bashkimit Evropian, ne inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën që të angazhohen më shumë dhe të ecin përpara në paqe”, tha Departamenti i Shtetit./InfoShqip.com