Arifi: Edhe shqiptarët në Serbi duhet ta kenë asociacionin nëse formohet për serbët në Kosovë

Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit, ka thënë se takimi i sotëm me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ishte një bashkëbisedim vëllazëror.

Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për asociacionin e komunave serbe, derisa ka shtuar se nëse serbëve në Kosovë do t’u jepet e drejta për këtë mekanizëm, edhe shqiptarët në Luginë janë të gatshëm të punojnë në atë drejtim.

Ka thënë se nga Bislimi ka kërkuar që në të ardhmen Qeveria e Kosovës të ketë qasje pragmatike dhe direkte në interesat dhe kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Arifi ka thënë se kanë kërkuar që në takimet e ardhshme me Serbinë të jenë temë diskutimi edhe problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke shtuar se kërkesë e tyre është që të drejtat që i gëzojnë serbët në Kosovës, t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbi.

Arifi ka thënë se Bislimi ka premtuar që të gjitha çështjet dhe brengat që i kanë shqiptarët e Preshevës do të adresohen në takimin me delegacionin serb.

“Unë e njoftova edhe me problemin që shumë shqiptarë të Kosovës po hasin për hyrje në Serbi. Sot Bislimi na ka premtuar dhe kemi kërkuar ndihmë edhe për zhvillimin ekonomik por edhe t’i ngritë kushtet e arsimit në Komunën e Bujanocit. Bislimit i kam thënë se jemi dakord për dy mundësi, që delegacioni i Kosovës t’i përfaqësojë shqiptarët e Preshevës dhe mundësia tjetër, është që dikush nga ne të jetë prezent atje”, ka thënë ai.

Arifi ka thënë se kanë kërkuar që nëse serbët të bëjnë asociacion të komunave serbe, edhe shqiptarët në Luginë do të duhej ta bëjnë të njëjtën gjë.

Sipas tij, prioritet në takimet me Serbinë është çështja e nostrifikimit të diplomave për studentët që kryejnë studimet në Kosovë.

Lidhur me një dokument të miratuar nga përfaqësuesit e Luginës për themelimin e asociacionit, ai ka thënë se i njëjti është aprovuar nga të gjithë këshilltarët shqiptarë dhe është dërguar në Qeverinë e Kosovës.

Ai ka thënë se edhe qeveria Kurti është e njoftuar dhe e posedon këtë dokument.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu