Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi gjatë fjalimit të djeshëm në Kongresin e Partisë Socialiste dhe Demokrate Evropiane se Shqipëria është në vendin e tetë në Evropë dhe të 19-të në botë për nga zhvillimi i sistemeve teknologjike, transmeton InfoShqip.
Ai e bëri të ditur këtë bazuar në të dhënat e zhvillimit dixhital të Kombeve të Bashkuara.
Pasditen e sotme Rama ka postuar në Facebook grafikët që thotë se tregojnë revolucionin dixhital.
“Lajm shumë i mirë. Këto tabela janë marrë nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Dixhital të Shteteve Anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për shërbimet publike online, një lajm shumë i mirë që duhet përcjellë nga kanalet dhe portalet që njollosin çdo ditë me gjysmë të vërteta të pista, gënjeshtra, akuza, fyerje, lloj-lloj banalitetesh“, shkruan Rama.
Por, shton ai, është edhe më domethënëse që Shqipëria e sporteleve me hekura, turmave në radhë për të marrë një copë letër, bakshish për çdo shërbim në sportel, i përket së shkuarës.
Kryeministri thotë se vendi i tij ka shumë punë për të bërë në luf tën kundër kor rupsionit, por në 1225 shërbime publike që tashmë janë online, korrupsioni është zhdukur.
“Ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për të forcuar administratën, por në 1225 shërbime publike (95% e të gjitha shërbimeve) që tashmë janë online, vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri pak vite më parë mund të as e imagjinoni, nga fundi i pusit ku nisëm rrugën e revolucionit dixhital“, shprehet ai.
Sipas tij, sulmet kibernetike me të cilat u përball vendi dështuan pikërisht sepse qeveria investoi siç duhet, “duke bërë më shumë me më pak dhe sepse vendi renditet ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online”./InfoShqip.com