Shkollat në Maqedoninë e Veriut me mungesë të kuadrove të matematikës, fizikës dhe kimisë

Nëpër shkollat e vendit po mungojnë mësuesit për fizikë, matematikë, kimi, informatikë dhe gjuhë të huaja të cilat mësohen në shkolla, bëri thirrje Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës (SPASh). Shpesh në rrjetet sociale shpërndahen thirrje se në shkolla nuk ka mësues për këto lëndë dhe ftohen studentët të aplikojnë, shkruan Sdk, transmeton Portalb.mk.

Sipas kryetarit të SPASh-it, Tomislav Gievski, problemi me mungesën e kuadrove daton para një dekade, dikur ka ndodhur në zonat rurale, por vitet e fundit ai problem është shfaqur edhe në shkollat ​​e zonave urbane.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) pajtohen se prej vitesh vendi po përballet me mungesë të stafit mësimdhënës në lëndët e matematikës, kimisë dhe fizikës. Ata thonë se tek të rinjtë nuk ka interes të mjaftueshëm për të zgjedhur institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në këto fusha dhe për këtë nuk prodhohet mjaftueshëm staf që duhet të marrë pozitat e stafit tashmë të punësuar në shkolla, i cili sigurisht, kur largohet në pension duhet dikush ta pasojë.

Nga atje thonë se Ministria ndan bursa për studentët që regjistrohen ose do të regjistrohen në programet e studimit në matematikë, fizikë dhe kimi dhe do të arrijnë notën mesatare prej së paku 7.00 gjatë shkollimit paraprak në institucionin e arsimit të lartë përkatës. Këto janë bursat më të larta të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për studime në institucionet e arsimit të lartë vendas dhe kapin vlerën prej 300 euro në muaj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu