Maqedonia Veriore po i afrohet gjithnjë e më shumë kolapsit në sektorin e shëndetësisë, si pasojë e ikjes së mjekëve. Qindra mjekë për çdo vit ia mësyjnë Evropës, kryesisht Gjermanisë, për të ushtruar profesionin e tyre.
Arsyeja kryesore është paga shumëfish më e lartë në Perëndim, por edhe kushtet e punës në përgjithësi.
Nga viti 2020 Maqedonia e Veriut ka rritur pagat e mjekëve specialistë. Tani mjekët specialistë në Qendrën Klinike marrin rreth 1.620 euro, ndërsa paga mesatare e mjekëve specialistë në spitalet e përgjithshme është rreth 1.400 euro.
Kujdestaritë gjithashtu paguhen mbi pagë dhe varësisht nga numri i kujdestarive, mjekët marrin të hyra shtesë përveç pagës.
Megjithatë, edhe pse me paga pak më të mira krahasuar me kolegët nga Kosova e Shqipëria, edhe nga Maqedonia e Veriut mjekët po ikin masivisht.
Sipas Odës së Mjekëve, në pesë vitet e fundit vendin e kanë braktisur gjithsej 568 mjekë.