“Serbia detyron dhe inkurajon serbët e Kosovës që të lënë vendet e tyre të punës në institucionet e Kosovës”, ka shkruar në Twitter, Blerim Vela, shefi i kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar ndaj vendimit të serbëve që të largohen nga të gjitha institucionet në Prishtinë dhe të dorëzojnë dorëheqje. Ai shtoi se kjo i kujtoi atij nxitjen ruse në Donbass në vitin 2014, transmeton InfoShqip.
“Gjithashtu tregon se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po e përdor listën serbe për destabilizimin”, ka shkruar Vela.
Ai shtoi se Beogradi në mënyrë të njëanshme ka shkelur të gjitha marrëveshjet e Brukselit për të shpërbërë strukturat e tij në Kosovë, duke i detyruar serbët e Kosovës të largohen nga institucionet e Kosovës.
“Një frikësim i tillë nuk do të funksionojë! Institucionet e Kosovës do të mbeten multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve”, ka shkruar Vela.
Pas takimit në Zveçan, përfaqësuesit e serbëve nga Kosova morën vendim për tërheqjen e serbëve nga të gjitha institucionet e Prishtinës – kuvendi, qeveria, pushteti lokal, gjyqësori, prokuroria dhe policia. Komandantët e policisë nga veriu i Kosovës hoqën publikisht uniformat me mesazhin “mjaft më”./InfoShqip.com










