Ushtria Britanike ka nënshkruar një kontratë me vlerë 15.4 milionë paund për furnizimin e një nëndetëse pa pilot. Droni nënujor, gjatësia e të cilit prej 12.2 metrash korrespondon me gjatësinë e autobusit legjendar londinez – dykatëshi i kuq, duhet t’i dorëzohet Marinës Britanike deri në vitin 2024, shkruan Business Insider, transmeton InfoShqip.
Droni i parë nënujor i Mbretërisë së Bashkuar, i quajtur Cetus (sipas Cetit, një përbindësh deti nga mitologjia greke), do të përdoret për të mbrojtur infrastrukturën kritike kombëtare dhe për të monitoruar aktivitetin e dyshimtë nënujor.
Ministria e Mbrojtjes thotë se Cetus mund të “mbulojë” një mijë milje nga fundi i oqeanit në një mision të vetëm dhe mund të operojë në thellësi shumë më të mëdha se ato të nëndetëseve të tjera në flotën e Marinës Britanike. “Do të jetë nëndetësja më e madhe dhe më komplekse pa pilot e operuar nga një marinë evropiane”, tha qeveria britanike në një deklaratë.
“Kjo nëndetëse e jashtëzakonshme autonome do të ndryshojë plotësisht “lojën” dhe do të ndihmojë Britaninë të dominojë fushën e betejës nënujore,” thotë admirali Ben Key.
Lajmi për anijen e re britanike pa pilot vjen pasi shumë vëmendje nga aleatët perëndimorë u shkaktua nga një shpërthim nënujor që shkaktoi dëme të mëdha në tubacionin kryesor të gazit Nord Stream, përmes të cilit gazi rus dërgohej në Gjermani dhe në pjesën tjetër të Evropës. Perëndimi ende dyshon se pas këtij sabotimi qëndrojnë autoritetet ruse. John Brennan, ish-drejtori i CIA-s, tha për CNN se ishte një “akt sabotimi” dhe drejtoi gishtin nga Moska.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të mbrojë më tej hapësirën e saj nënujore pasi ishujt në brigjet e Skocisë u shkëputën nga bota e jashtme në tetor pas dëmtimit misterioz të kabllove nënujore të internetit dhe telefonit.
“Për të përballuar kërcënimet në rritje për infrastrukturën tonë nënujore, Marina Mbretërore duhet të qëndrojë përpara konkurrencës. Ne kemi punën e duhur për të mbrojtur sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve tanë” – tha ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace pas nënshkrimit të kontratës për prokurimin e nëndetëses pa pilot./InfoShqip.com