Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, ka reaguar lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës. Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe BE, që të mos lejojnë përsëritjen e skenarëve millosheviqianë, që sot i promovojnë çirakët e tij.
“Eskalimi i situatës në veri të Kosovës, ku grupet paramilitare serbe, të mbështetura nga Serbia, e rrezikojnë sigurinë e Republikës së Kosovës dhe synojnë ta rrënojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e shtetit kosovar, janë sinjal i qartë se shteti i cili dëshiron të qëndrojë në mes vlerave perëndimore dhe ambicieve ruse, sot po shfaq pretendime të hapura ndaj shtetësisë së Kosovës, duke e rrezikuar jo vetëm sigurinë e Ballkanit, por edhe më gjerë.
Duke i dhënë mbështetje Qeverisë së Kosovës dhe popullit të saj liridashës, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, që mos të lejojnë përsëritjen e skenarëve millosheviqianë, që sot i promovojnë çirakët e tij.
Liria e Kosovës është ujitur me gjakun e bijve të saj më të mirë dhe është realizuar në bashkëpunim me aleatët perëndimorë në frymë të vlerave të lirisë dhe të drejtës për vetëvendosje të popujve”, ka shkruar Gashi.