Ekipi i Kosovës shpëton edhe dy qytetarë të tjerë në Turqi

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të nxjerrin të gjallë nga rrënojat e ndërtesave në Turqi edhe dy persona të tjerë. Sipas njoftimit, në bashkëpunim me ushtrinë turke, 160 orë pas tërmeteve shkatërruese, FKS-ja ka nxjerrë një 45-vjeçar, dhe pas 162 orëve një vajzë 13-vjeçare.

Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të motivuar dhe po japin gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetën e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, e cilësoi si “lajm të mrekullueshëm” shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hataj.

Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.

Pas tërmeteve vdekjeprurëse të 6 shkurtit, që goditën Turqinë dhe Sirinë, drejt Turqisë u nis një kontingjenti i FSK-së që përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit. Më 8 shkurt, në qytetin Hataj, pjesëtarët e FSK-së arritën të shpëtonin një fëmijë 2-vjeçar dhe nënën e fëmijës.

Me kalimin e orëve, ulen shpresat për gjetjen e njerëzve të gjallë pasi kanë kaluar shtatë ditë nga tërmeti shkatërrues. Deri tani, sipas raporteve shtetërore raportohen mbi 36 mijë viktima dhe shumë të tjerë të plagosur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu