Erdogan, me një vendim pak ditë para zgjedhjeve

Qeveria turke po rrit pagat e punonjësve publikë me 45 për qind, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan pesë ditë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Sondazhet tregojnë se Erdogan është në një garë të ngushtë me kandidatin kryesor të opozitës për president, Kemal Kilicdaroglu.

Erdogan njoftoi rritjen e pagave në një takim në Ankara për të diskutuar të drejtat ekonomike dhe sociale të punonjësve të sektorit publik.

“Ne po rrisim pagat me 45 për qind, duke përfshirë pjesën e ndihmës sociale,” tha Erdogan, sipas faqes së internetit të qeverisë turke. “Prandaj ne po e rrisim pagën minimale në sektorin publik në 15,000 lira turke në muaj (768 dollarë)”.

Ekonomia, çështja kyçe e zgjedhjeve turke

Ai shtoi se do të vazhdojë të punojë për rritjen e pagave dhe pensioneve të nëpunësve civilë.

Ekonomia e Turqisë është një çështje kyçe përpara zgjedhjeve të së dielës. Uljet e pazakonta të normave të interesit të urdhëruara nga Erdogan rezultuan në zhvlerësimin e lirës turke në fund të vitit 2021 dhe e shtynë inflacionin në nivelin më të lartë të 24 viteve prej 85.5 për qind vitin e kaluar.

Ekonomia e lëkundur e vendit, e tronditur më tej nga tërmetet shkatërruese në shkurt, ishte një goditje e madhe për fushatën presidenciale të Erdoganit.

Presidenti, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vitet e fundit, bëri fushatë me premtimin për norma më të ulëta interesi si një mënyrë për të zgjidhur krizën ekonomike. Ai premtoi gjithashtu uljen e inflacionit dhe nxitjen e rritjes ekonomike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu