Grupi i Zjarrit, për momentin janë fraksion brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, por nëse eventualisht do të largohen nga subjekti që drejtohet nga Ali Ahmeti, ka shumë mundësi që të formojnë parti të re politike, subjekt të cilin përflitet se mund të emërojnë “Bashkimi Demokratik për Reforma”, mëson ekskluzivisht nga burime brenda Grupit Zjarrit per Zhurnal.
Deri te formimi i këtij fraksioni erdhi si pasojë e pakënaqësive të një pjese të madhe të anëtarëve të kryesisë së kaluar në BDI nga puna e anëtarëve të Qeverisë në këtë përbërje.
Ata në opinion u quan si “Grupi i Zjarrit” pasiqë bënin dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për vendosjen në binar të partisë BDI mirëpo si duket nuk arritën këtë gjë.
Madje, në një nga mbledhjet e fundit ato u shkarkuan nga kryesia qendrore pa ndonjë vend të Këshillit të përgjithshëm i cili edhe i kishte emëruar. Kjo gjë shkaktoi akuza dhe kundër-akuza mirëpo fajtori mbeti jetim si gjithmonë.
E për këtë arsye, ky grup mendon hapjen e një subjekti politik për të treguar kështu fuqinë politike në zgjedhjet e reja parlamentare kurdo që ato të ndodhin, shkruan zhurnal.mk.
Po çfarë mund të ndodh nëse ky grup formon parti politike dhe a rrezikon kështu BDI të humb një pjesë te elektoratit, dhe ku më shumë rrezikohet BDI në cilat zona?
Rreziku më i madh nga Grupi i Zjarrit shihet tek zona e parë dhe e dytë zgjedhore megjithatë edhe zona e gjashtë zgjedhore mund të pësojë dëmtim për BDI-në.
Kujtojmë që Izet Mexhiti në një intervistë për mediat në vend tha se nëse largohen nga partia, Mexhiti nuk dha përgjigje të drejtpërdrejt, por tha se ky grup kontrollon 40% të elektoratit të BDI-së dhe shtrihet nga Likova deri në Strugë, nga të pakënaqurve nga subjektet tjera dhe që shohin shpresë tek ata.
“Ata menduan se me largimin nga pozitat qeveritare do të hështë “Grupi i Zjarrit” por kjo nuk dëshmohet as në terren, as në anketa. Në anketa jemi vazhdimisht në rritje. Në fillim diku ishim 25% nga elektorati i BDI-së, tani shkojmë nga 40% dhe poashtu kemi edhe një pjesë të elektoratit që është i pakënaqur nga subjektet tjera dhe që shohin shpresë tek ne”, tha Izet Mexhiti, përcjell zhurnal.mk.
Ndërsa Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim pas kësaj deklarate tha se BDI-ja është një program kombëtar i investuar në 20 vite dhe nuk mund të zhbëhet aq kollaj.
Sipas tij BDI mund të funksionojë edhe pa Ali Ahmetin, por edhe pa Musa Xhaferin, Izet Mexhitin, Blerim Bexhetin dhe anëtarë tjerë të partisë. Kështu është përgjigjur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për ashtuquajturit “grupi i zjarrit”.
“Gjithmonë ka pasur pakënaqësi dhe do të ketë gjithmonë gjëra të tilla, por e rëndësishme është që shumica në Bashkimin Demokratik për Integrim nuk do anarki, por debat të hapur, të rregullt dhe shkencor. BDI është një program kombëtar i investuar në 20 vite dhe nuk mund të zhbëhet aq kollaj. Pra, BDI mund të funksionojë edhe pa Ali Ahmetin, por edhe pa Musa Xhaferin, Izet Mexhitin, Blerim Bexhetin dhe anëtarë tjerë të partisë”, tha Ahmeti, ndërsa është përgjigjur edhe nëse vitin e ardhshëm, në zgjdhjet brenda partiake, do të rikandidojë për kryetar partie. “Në qafë do të më keni edhe katër vjet tjera”, u përgjigj shkurt Ahmeti, përcjell zhurnal.mk.
Kujtojmë që i ashtuquajturi “grupi i zjarrit” tani si Fraksion në BDI, shprehin pakënaqësitë brenda partisë, ndërsa potencuan se gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake. Thanë se “sjellja arrogante dhe diletante e ekzekutivit në krye me Artan Grubin, kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve”.
Nga ana tjetër sipas disa anketimeve të bëra nga Grupi i Zjarrit por që janë bërë për shërbime interne të tyre, mësohet se nëse bëhet koalicion me partitë opozitare, numri i deputetëve të fituar mund të shkojë deri në 10, shkruan Zhurnal.mk.