Mickoski jo idesë së BDI-së: Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë shqiptar

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka përjashtuar mundësinë e realizimit të kërkesës për kryeministrin shqiptar, nëse pranohet kërkesa e tij për Qeveri gjithëpërfshirëse, pa BDI-në, e cila do të votonte ndryshimet kushtetuese.

Mickoski tha se marrëveshja mes BDI-së dhe LSDM-së në këtë rast nuk do të vlejë.

“Kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë për shkak të marrëveshjes që e kanë bërë LSDM dhe BDI, ose kushtimisht thënë, etnikisht shqiptar, por do të jetë kryeministër që e kanë zgjedhur shumica e deputetëve në korniza të Kuvendit”, theksoi Mickoski.

Mickoski, ka përsëritur sot nga Koçani se kushti i tyre për të votuar për amendamentet kushtetuese do të ishte një qeveri pa BDI-në deri në zgjedhjet dhe amendamentet kushtetuese të hyjnë në fuqi kur vendi të bëhet anëtar i BE-së.

Ai përsëriti se VMRO-DPMNE nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës nën diktatin bullgar.

Si parti politike e përgjegjshme dhe si politikanë të përgjegjshëm jemi gjithmonë të gatshëm të diskutojmë kur bëhet fjalë për të ardhmen e atdheut tonë. Kështu ka qenë biseda në takimin e lidershipit me Kovaçevskin. Nga ana e tij është bërë oferta që t’i lëshohen pesë ministri që aktualisht menaxhohen nga qeveria e LSDM-së dhe t’i ofrohen VMRO-DPMNE-së, dhe në këmbim VMRO-DPMNE të mbështesë ndryshimet kushtetuese, të përfundojnë ato ndryshime, të fillojnë negociatat dhe pastaj të shkojmë në zgjedhje”, tha Mickoski.

Ai ka përsëritur ofertën e VMRO-DPMNE-së për të marrë pjesë në qeverinë e ardhshme deri në zgjedhje, por me kushte të caktuara.

“Kushti i parë është që përfundimisht të çlirohet Maqedonia nga BDI. Ajo nuk ka nevojë të jetë në atë qeveri kalimtare, e thënë paraprakisht. E mirëpres lëvizjen e Bujar Osmanit për ta pranuar këtë në emër të BDI-së. Kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese, le të themi se ne e pranojmë votimin e tyre, por që efekti të jetë i vonuar, pra me një efekt të vonuar. Praktikisht nuk do të ndryshojnë rrethanat, nuk do të kemi ndryshim të Kushtetutës, ato amendamente nuk do të jenë pjesë e asaj kushtetute deri në momentin kur Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së”, tha Mickoski.

Në këtë mënyrë, sipas tij, mbrohet identiteti dhe në këtë mënyrë sipas tij, nuk ka lëshime që mund të dëmtojnë identitetin maqedonas.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu