Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë tanimë tetë ditë vazhdon të hesht për Platformën e partive shqiptare
“Unë besoj se përdorimi i gjuhës mund të jetë përparësi e jona, jo dobësi. Unë që jam nga Strumica ku 94% janë maqedonas, 5% turq dhe 1% të tjerë, nuk humbas asgjë nëse bashkëqytetarët e mi shqiptarë do ta përdorin gjuhën e tyre amtare”.
Dy muaj pas intervistës së Zaevit në Klik Plus, tema për përdorimin e gjuhës shqipe vazhdon të jetë aktuale, veçanërisht tani kur dygjuhësia është pjesë edhe e platformës si kusht për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, edhe pas më shumë se një jave qëkur partitë shqiptare e nënshkruan deklaratën, Zaevi refuzon t’i komentojë pikat e cekura në atë dokument, shkruan TV21.TV
Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë tanimë tetë ditë vazhdon të hesht për Platformën e partive shqiptare. Më tepër se një javë pas publikimit të Deklaratës, nga kjo parti ende nuk dalin me qëndrim në publik se a janë 7 pikat e cekura në dokument të pranueshme për ta apo jo.
Burime nga LSDM për TV21 thonë se Gruevski është ai që duhet të prononcohet për platformën, sepse mandati është në duart e tij.
Megjithatë, një pjesë e analistëve, heshtjen e LSDM-së e vlerësojnë si hap pozitiv të kësaj partie. Ismet Ramadani konsideron se veprimi i Zaevit për të mos nxituar me komente, është i mirë, sepse, siç u shpreh, mandatin për formimin e qeverisë së re për momentin e ka VMRO-DPMNE.
Derisa LSDM është e përmbajtur për koment në lidhje me Platformën e partive shqiptare, afati për kristalizimin e pozicioneve të Gruevskit dhe Ahmetit për ta formuar qeverinë po rrjedh. Megjithatë, ekzistojnë dy pika për të cilën, në këtë moment këto dy parti nuk pajtohen: vazhdimi i mandatit të PPS-së dhe përdorimi i gjuhës shqipe në të gjithë territorin e vendit. Në anën tjetër ndërkaq, pikërisht këto dy pika ishin disa nga premtimet e LSDM-së në kampanjën zgjedhore./21Media