Kreu i shtetit serb ka shpalosur disa prej hapave që pritet t’i ndërmarrin pas skandalit me trenin rus që Serbia e nisi në drejtim të Kosovës, e i cili u ndalua para se ta kalojë kufirin. Në një intervistë për gazetën Kurir, presidenti Tomisllav Nikoliq ka përmendur një marrëveshje që ndalonte njësitë speciale të policisë së Kosovës që të hynin në pjesën veriore të Kosovës dhe gjithashtu pezullonte dërgimin e 1 mijë trupave të Serbisë në Kosovë, ashtu siç theksohej në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Ata kanë shkelur marrëveshjen dhe tani ne kemi një kartë atu për bisedimet në Bruksel, ku duhet të kërkojmë garanci se ROSU kurrë më nuk do të shkelë në veri të Kosovës. Nëse ndodhë sërish kjo atëherë edhe ne i respektojmë premtimet që nuk do të kërkohet nga OKB-ja për të siguruar qasje për forcat e armatosura serbe në Kosovë, për të ruajtur ndërtesat fetare dhe trashëgiminë serbe”, tha Nikoliq.
Presidenti serb, Nikoliq, gjithashtu ka thënë se paralajmprimi për të dërguar ushtrinë serbe nuk është qëndrim personal i tij por është vendim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Serbia do të mbrojë serbët në Kosovë dhe “Metohi”. Ky është qëndrimi i Qeverisë dhe Presidentit”. Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se me Serbinë ose bëhet dialog ose luftohet, nuk ka gjendje të mesit.
Ai këto komente i ka bërë në mbledhjen e Komisionit për Siguri, duke theksuar se status quo-ja, në raportet Kosovë – Serbi, prodhon ngecje dhe frustrim. “E frustrimi i njerëzve mund të prodhojë konflikt”, ka theksuar Hyseni. Ministri i Brendshëm ka folur edhe për ndaljen e Ramush Haradinajt. Sipas tij, është e papranueshme ndalja e Haradinajt nga autoritetet franceze, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.