Komuna e Tetovës lidhur me vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme. Në njoftimin urgjent të saj thuhet se për sot në ora 17:00 është thirrur seanca e jashtëzakonshme e këshillit komunal, ku si pikë e vetme e rendit të ditës është informata për kryqin në Kodrën e Diellit.
Kjo seancë paraprakisht u thirr sot nga këshilltarët komunal të BDI-së.
“Ne, Këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim, sot kërkuam seancë të jashtëzakonshme me prezencë të Kryetarit të Komunës për sqarimin e opinionit për vendosjen e Kryqit në “Kodrën e Diellit”, deklaroi këshilltari i BDI-së, Liridon Disha.
Nga ana tjetër, komuna e Tetovës për të sqaruar opinionin publik nuk ka dhënë leje për ngritjen e kryqit në Kodrën e Diellit, duke shpallur se ai është vendosur pa lejen e duhur për ngritje.
“Inspektorët komunal kanë dalë në terren për të vërtetuar gjendjen faktike dhe për të kryer vlerësimin e situatës, sipas të cilave do të merren masat ligjore për të garantuar zbatimin e plotë të rregullave dhe procedurave. Pra, edhe një herë, Komuna e Tetovës edhe në këtë rast do të respektojë të gjitha procedurat ligjore, siç edhe ka vepruar çdo herë”, theksuan nga kjo komunë.
Por, Borosav Bozhinovski, anëtar i Bordit kishtar “Shën Naumi i Ohrit – Çudibërësi” , ka thënë se kryqi është i vendosur në pronë të Kompleksit të Manastirit “Shën Naumi i Ohrit – Çudibërësi” dhe është bërë me mjete të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM). I pyetur për lejen e ndërtimit, ai ka thënë se nuk ka leje.
Reagime për vendosjen e këtij simboli fetar ortodoks ka pasur edhe nga parti dhe subjekte tjera politike dhe jopolitike.