“Nuk ka rrezik për sigurinë e Maqedonisë”, Stoltenberg: Jemi të pranishëm dhe të përgatitur për çfarëdo skenar

Nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë e Maqedonisë së Veriut si shtet anëtar i NATO-s, u përgjigj kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur në lidhje me deklaratat e presidentit të Ukrainës Zelenski se Rusia po përgatitet për destabilizim në Ballkan. Kovaçevski theksoi se ndikimi rus në rajon ekziston, por shton se ndikimi rus nuk është as në nivel të përafërt me atë që posedojnë institucionet vendore për të krijuar çfarëdo destablititeti.

“Nga informacionet që shkëmbejnë institucionet brenda shtetit, por edhe me shtetet tjera aleate të NATO-s është se nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetit e shtetit tonë. Këto janë çështje për të cilat ne por edhe shtetet tjera anëtare të NATO-s luftojmë kundër ndikimit rus në rajon. Ne jemi vend i NATO-s dhe ju siguroj se institucionet po e kryejnë punën e tyre dhe të mos harrojmë se të gjithë subjektet dhe aktorët politik kanë rol në paqen e përbashkët dhe stabilitet.”– deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër RMV.

Nga ana tjetër, edhe sekretari gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg i cili po realizon vizitën e tij të parë në vend pas anëtarësimit tonë në NATO, tha se nuk shohin asnjë kërcënim nga Rusia kundrejt cilitdo aleat të Aleancës. Ai theksoi se Rusia ka pësuar disfatë, sidomos për faktin se NATO po zgjerohet.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim ushtarak që do të vinte nga Rusia kundër cilitdo aleat të NATO-s apo rajonit. Por sigurisht se jemi vigjilent dhe nga afër përcjellim çfarë po bën Rusia dhe do të mbesim të bashkuar. Ne kemi prani ushtarake në këtë rajon, me KFOR-in, me selinë në Sarajevë dhe zyrat në Beograd dhe jemi të përgatitur shpejt të përforcohemi dhe të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur çdo aleat nga çfarë do kërcënimi, por sërish nuk shohim diçka që do të vinte si kërcënim kundër cilit do aleat të NATO-s.”– tha Jens Stoltenberg, sekretar gjeneral NATO.

Stoltenberg theksoi se Maqedonia e Veriut është aleat i vlerësuar i NATO-s dhe se NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut, njëjtë si Maqedonia e Veriut mbështetet në NATO.

Përndryshe, sekretari gjeneral i NATO-s iu drejtua edhe deputetëve në Kuvend, ndërsa realizoi takim edhe me presidentin e vendit Stevo Pendarovski.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu