A është Talat Xhaferi kandidat i mirë?! Andonov: Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së nuk është etik

Nuk mund të marrësh pjesë në një Qeveri të cilën nuk do ta votosh, kjo është politikisht jokorrekte. Në këtë mënyrë Oliver Andonov, nga i ashtuquajturi fraksion i VMRO-DPMNE-së, komentoi vendimin e kryesisë së partisë se do të propozojë ministra në Qeverinë teknike, por nuk do ta votojë atë në Kuvend. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së e cila u deklarua kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeministër teknik, sipas Andonovit nuk është etik, sepse siç shpjegon, vetë Xhaferi ka qenë ministër i Mbrojtjes në kohën kur VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja ishin në koalicion qeveritar.

“Ne si fraksion politik nuk pajtohemi me atë narrativ të kryesisë aktuale të partisë. Pse nuk pajtohemi? Së pari, nuk është etike të jemi hipokritë, për faktin se i njëjti ky Talat Xhaferi ka qenë ministër në Qeverinë tonë, në Qeverinë tonë të VMRO-DPMNE-së, sepse ne jemi anëtarë të VMRO-DPMNE-së. Me Xhaferin kemi bashkëpunuar në shumë aspekte kur kemi qenë në koalicion me BDI-në. Me siguri nga ky aspekt. Shumë ushtrues detyre e njohin personalisht Talatin, siç tha kolegia Frosina se e njeh”, tha Oliver Andonov, fraksion i VMRO-DPMNE-së.

Andonovi shton se ka marrë përshtypje se Mickoski ka dashur ta sabotojë punën e Qeverisë teknike dhe ta sjellë vendin në krizë politike. Profesoresha Frosina Remenski ka pritur që deri më tani Qeveria teknike të hiqet. Ajo thotë se ka besuar se në Qeverinë e parë teknike, në vitin 2020, VMRO-DPMNE-ja do të propozonte ndryshime në Ligjin për Qeverinë që do ta shfuqizonte atë. Remenski rikujtoi se Mickoski ka dhënë deklarata të tilla. Megjithatë, duke marrë parasysh se ligji ende ekziston, i njëjti duhet respektuar.

“Ndoshta kjo Qeveri e tretë teknike është një shans i mirë që partneri i koalicionit, partneri i dikurshëm i VMRO-DPMNE-së, BDI-ja dhe ai aktual – LSDM-ja, të ketë një kryeministër teknik. Duke marrë parasysh nderin të jem nënkryetare е Kuvendit gjatë mandatit të kryeparlamentarit aktual, Talat Xhaferi, e di parimin e tij të punës, por e di edhe durimin, përgjegjësinë dhe vendosmërinë e tij për të ndërmarrë iniciativa kur ato janë vërtet të nevojshme”, u shpreh Frosina Remenski, LSDM.

Ngjashëm si Remenski, edhe Andonovi konsideron se nuk ka nevojë për Qeveri teknike, sepse sjell shpenzime shtesë, prandaj siç shprehet, ishte dashur të hiqet. Sa i përket kombinimeve pas zgjedhjeve, Remenski dhe Andonovi janë unanimë se Qeverinë do ta formojnë partitë që janë “për” anëtarësimin e vendit në BE.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu